Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka pasur një takim në Berlin me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, sidomos në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Zulfaj theksoi se Kosova ka arritur një progres të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik në dekadën e fundit.
Ai vlerësoi se ky progres duhet të pasqyrohet me hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, duke u bazuar në meritat e vendit.
Ai gjithashtu rikujtoi se, gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, Kosova është ende i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
Sipas Zulfajt, kjo situatë nuk përkon me premtimet e Samitit të Selanikut dhe deklaratat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryenegociatori kërkoi që Gjermania, si një nga vendet kyçe të BE-së, të luajë një rol aktiv në mbështetje të vendimmarrjes për dhënien e statusit kandidat për Kosovën.
Në përfundim, Zulfaj falënderoi ministrin Krichbaum për bashkëbisedimin e hapur dhe për diskutimin rreth perspektivës evropiane të Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



