Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka bërë thirrje për rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit të zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, veçanërisht ata që lidhen me dhunën në familje dhe rastet që përfshijnë të miturit.
Kjo kërkesë u paraqit gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, major Mirsad Kelmendi, si dhe me shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurinë publike dhe trajtimin prioriteteve të rasteve të ndjeshme që përfshijnë viktimat.
Disha-Haxhosaj kërkoi nga zinxhiri komandues i Policisë që të sigurojë një qasje profesionale dhe të përgjegjshme nga ana e zyrtarëve policorë, në përputhje me procedurat ligjore.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reagimit të shpejtë institucional, koordinimin e veprimeve dhe përfshirjen e të gjithë mekanizmave kompetentë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit.
Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu për parandalimin e veprave penale, identifikimin e hershëm të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.
Në përfundim, palët u zotuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit dhe rritjes së sigurisë publike.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



