temp image 79 temp image 79

Rëndësia e Kontrollit të Rregullt për Kancerin e Gjirit në Kosovë

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në stadet e hershme, duke e nxjerrë në pah rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe qasjes së lehtë në shërbimet shëndetësore.

Këto deklarata i bëri ai në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me temën “Përtej Tetorit Rozë – Së bashku për shëndetin”, ku u përmbyllën aktivitetet e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Kurti theksoi se ndërgjegjësimi për këtë sëmundje nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por duhet të shndërrohet në një kulturë të vazhdueshme të kujdesit për shëndetin publik. “Përveç mesazhit ndërgjegjësues e përtej tetorit rozë, bashkërisht synojmë nxitjen e një kulture të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik, për shëndetin e secilit, duke inkurajuar njëri-tjetrin që të mos e shtyjmë kontrollin.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen veçanërisht për të gjithë profesionistët shëndetësorë, ata që nuk janë në këtë sallë e janë aq të shumtë, pastaj stafin mjekësor, organizatat dhe institucionet, ndërmarrjet publike dhe private, pra të gjithë ata të cilët në forma të ndryshme, por për qëllimin e njëjtë angazhohen për ta çuar këtë mesazh te sa më shumë gra”, tha ai. “Ky është një angazhim i përbashkët, i cili kërkon edhe vazhdimësi, po edhe përgjegjësi nga të gjithë ne.

Detyra jonë është ta shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit, mes diagnozës dhe trajtimit, mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj.

Kjo punë nis me ndërgjegjësimin, pra me fushatat që organizon Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pastaj me punën e organizatave dhe kontributin e ndërmarrjeve publike e private.

Faleminderit të gjithëve për thirrjen për kontroll që e çoni te sa më shumë gra.

Ky angazhim gjithsesi edhe po i sjell rezultatet e veta.

Sot, më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stade të hershme, 1 dhe 2, kur ende janë lehtësisht të trajtueshëm.

Në këtë drejtim, mamografia tashmë ofrohet falas gjatë gjithë këtij viti.

Gjatë tetorit, mamografi mobil udhëton nëpër qytetet e Kosovës për ta sjellë shërbimin edhe më afër grave.

Për pacientët që kanë nevojë për trajtim në onkologji janë përmirësuar kushtet dhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit.

Gjithashtu, ofrohet edhe rekonstruktimi i gjirit falas dhe pa pritje”, përfundoi ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -