Ian Wright ka shprehur kritikë për vendimin e VAR-it që nuk akordoi penallti në favor të Liverpoolit gjatë humbjes 1-0 ndaj Arsenalit në Anfield.
Ish-futbollisti legjendar i Arsenalit beson se gjyqtarët e ndeshjes gabuan në vlerësimin e një episodi në zonën e rreptësisë, ku Jurrien Timber tërhoqi fanellën e sulmuesit Alexander Isak.
Pavarësisht protestave të futbollistëve të Liverpoolit, gjyqtari kryesor nuk tregoi nga pika e bardhë, dhe as VAR-i nuk ndërhyri për të rishikuar vendimin.
Wright, që e ndoqi ndeshjen nga këndvështrimi i tifozëve të Arsenalit, pranoi se ishte i lumtur me fitoren e skuadrës së tij të zemrës, por nuk e fshehu mendimin se Liverpoolit iu mohua një penallti. “VAR-i ka gabuar në këtë rast.
Natyrisht, bëhet fjalë për ekipin tim dhe unë dëshiroj që ata të fitojnë, prandaj jam i lumtur që kanë marrë tri pikët.
Por, nëse do ta akordonin atë penallti, nuk do të ulesha këtu duke thënë se nuk mund ta besoj që e dhanë.
Do të thosha se jam i lumtur që arritëm të merrnim një pikë,” shtoi ish-sulmuesi anglez.
