Një i ri 24-vjeçar nga Kosova ka pësuar lëndime serioze pasi ra nga një skelë në një objekt ndërtimi në Wilburgstetten të Gjermanisë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, aksidenti ndodhi të shtunën pasdite, më 24 tetor, gjatë punimeve në fasadën e një ndërtese të re.
I riu ishte duke punuar së bashku me një koleg në një skelë në lartësinë e katit të dytë, kur papritur njëra prej platformave të saj u shkëput.
Si pasojë, ai ra në tokë dhe pësoi një plagë të hapur në pjesën e ballit, si dhe një lëndim në kanalin e veshit.
Sipas policisë, ai humbi përkohësisht vetëdijen, por më vonë u rikuperua.
Për shkak të lëndimeve të rënda, i riu u transportua me helikopter të emergjencës në Spitalin Universitar të Augsburgut.
Mjeku i emergjencës e përjashtoi rrezikun për jetën e tij, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje të tjera për gjendjen e tij shëndetësore.
Në momentin e aksidentit, kolegu i tij ndodhej në anën tjetër të ndërtesës dhe kishte dëgjuar vetëm rënien.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
