Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, hyri mëngjesin e së shtunës në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, ku gjatë natës kishin protestuar qindra qytetarë.
Në zonë ishte vendosur një numër i madh policësh të pajisur për shpërndarjen e demonstratave.
Nawrocki ndërpreu vizitën në Senegal dhe u kthye në Poloni pasi aleati i tij, Bogdan Swieczkowski, u pezullua nga posti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai ishte emëruar në këtë detyrë gjatë qeverisjes së partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Sipas agjencisë Reuters, gjykata njoftoi se Swieczkowski ishte shkarkuar nga gjyqtarja me përvojën më të gjatë në këtë institucion, Anna Korwin-Piotrowska, e cila më pas mori drejtimin e gjykatës.
Sipas agjencisë Anadolu, Nawrocki mbërriti në Varshavë të premten, pak para orës 22:00, pasi aeroplani i tij ndryshoi drejtim mbi Spanjë.
Ai u takua me kryetarin e parë të Gjykatës Supreme, Zbigniew Kapinski, i cili kishte dënuar zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese.
Qindra protestues u mblodhën para gjykatës të premten vonë.
Pamjet e Reuters tregojnë përplasjet mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa Swieczkowski, i cili ishte pezulluar, tentoi të hynte në ndërtesë.
Politikanë të krahut të djathtë u thanë protestuesve se qeveria e Donald Tuskut po kryente një grusht shteti kundër gjykatës.
Ministri i Drejtësisë, Waldemar Zurek, njoftoi se kishte dorëzuar pesë kërkesa për heqjen e imunitetit të kryetarit të gjykatës dhe zëvendësit të tij.
Ai theksoi se këto kërkesa përbëjnë gjithsej 224 faqe dhe se rastet lidhen me vepra të ndryshme penale.
Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, që po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s në Atlanta, tha se Gjykata Kushtetuese ishte politizuar gjatë qeverisë së mëparshme.
Ai shtoi se gjykata ka tashmë tre vjet që ka shumicën e gjyqtarëve të zgjedhur nga parlamenti i ri, por kryetari i deritanishëm nuk e kishte thirrur mbledhjen e saj, duke e pamundësuar miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
Korwin-Piotrowska kishte kërkuar mbrojtje pasi protestuesit kishin bllokuar ndërtesën.
Ambasadori i SHBA-së në Poloni, Tom Rose, theksoi në rrjetin social X se zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese janë shumë serioze dhe se bëhet fjalë për një përballje të paprecedentë lidhur me përdorimin e forcës shtetërore dhe pavarësinë e një institucioni kushtetues.
Ai u bëri thirrje zyrtarëve, policisë dhe protestuesve të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në dhunë, duke shtuar se nuk i takon SHBA-së të gjykojë apo të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Polonisë.
Qeveria e Donald Tuskut nuk i njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për shkak të gjyqtarëve të emëruar gjatë qeverisjes së partisë PiS.
