BallinaPolitikProtestat për Arlinda Zekajn: Ministrat Gërvalla dhe Sveçla kërkojnë llogari për dështimet...

Protestat për Arlinda Zekajn: Ministrat Gërvalla dhe Sveçla kërkojnë llogari për dështimet institucionale

- Advertisement -

Një grup protestuesish ka vazhduar të kërkojë llogari për vrasjen e Arlinda Zekajt, e ndodhur të dielën, më 25 tetor.

Gjatë protestës, ka pasur përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit që ishin të pranishëm para objektit.

Në orën 09:00, Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mbajtën një konferencë për media.

Gërvalla theksoi se një sërë shkeljesh janë identifikuar nga Gjykata, Prokuroria dhe Policia në Pejë, si dhe nga Qendra për Punë Sociale. “Më 17 shtator, një ditë pas kalimit të afatit ligjor, Arlinda Zekaj iu drejtua Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, për të paralajmëruar vonesat dhe rrezikun ndaj jetës së saj.

Ajo nuk mori përgjigje deri më 20 tetor, më shumë se një muaj më vonë.

- Advertisement -

Në këtë përgjigje, Kryetari i Gjykatës konstatoi se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve ligjore.

Dokumentacioni ynë dhe ligji tregojnë një të vërtetë tjetër.

Po më 20 tetor, Arlinda Zekaj i shkroi përsëri Kryetarit të Gjykatës, duke shprehur zhgënjimin e saj të thellë dhe paralajmëruar se do ta vrisnin si pasojë e neglizhencës institucionale.

Tragjikisht, pesë ditë më vonë, ajo u vra”, tha Donika Gërvalla.

Ministrja Gërvalla theksoi se organi ndjekës ka gjithashtu përgjegjësi, duke e quajtur shqetësuese faktin që dy ditë para vrasjes, kryeprokurorja ishte informuar nga viktima për kërcënimet që po i bëheshin. “Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapej një rast për kanosje dhe kishte kërkuar nga personi i dyshuar të siguronte pamjet e kamerave të sigurisë.

Nuk kemi dokumentacion që tregon nëse këto pamje janë dorëzuar dhe cilat veprime të mëtejshme janë ndërmarrë.

Dy ditë më vonë, Albert Sylaj dyshohet se vrau Arlinda Zekajn me sëpatë.

Raporti evidenton edhe mosadresimin e vazhdueshëm të kërkesës së saj për t’u kthyer në shtëpinë e vet.

Në vend që të zbatohej vendimi gjyqësor, asaj iu rekomandua ta zgjidhte çështjen e pronës së saj përmes një kontesti civil.

Në disa raste, asaj iu rekomandua të largohej nga shtëpia për arsye sigurie.

Pra, në vend që të largohej rreziku nga viktima, viktimës i kërkohej të largohej nga rreziku, duke hequr dorë nga shtëpia e saj”, theksoi Gërvalla.

Ndërkohë, Sveçla informoi se pas hetimeve, janë identifikuar shkelje serioze nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe zinxhiri komandues në Pejë. “Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen: mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës.

Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera”, theksoi Sveçla.

Të dy ministrat u pyetën nëse kanë shqyrtuar mundësinë e dorëheqjes si opsion. “Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje.

Por unë mendoj që pikërisht e kundërta është, qytetari e di që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave”, tha Gërvalla.

Xhelal Sveçla e mbështeti këtë qëndrim duke thënë se tani për tani nuk e shqyrton dorëheqjen si opsion. “Tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, mbrojtjen e të drejtave të saj, pasi ne jemi të angazhuar qind për qind në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë.

T’ju them të drejtën, unë personalisht jam bashkë me protestuesit dhe e kuptoj indinjatën e tyre”, përfundoi ai.

Përfaqësuesit e Qeverisë mirëpritën themelimin e Komisionit Hetimor nga Kuvendi dhe shpresojnë se ai do të ndihmojë në zbardhjen e veprimeve apo mosveprimeve institucionale.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments