BallinaPolitikThirrje për Dorëheqje: Besa Kabashi-Ramaj Kërkon Llogari nga Ministrat pas Vrasjes së...

Thirrje për Dorëheqje: Besa Kabashi-Ramaj Kërkon Llogari nga Ministrat pas Vrasjes së Arlinda Zekajt

- Advertisement -

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka shprehur kërkesën për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj theksoi se, ndonëse Gërvalla-Schwarz ka pranuar dështimet e institucioneve në këtë rast, ajo ka shmangur përgjegjësinë politike që i takon si ministre dhe si koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën ndaj grave. “Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës.

Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes.

Asnjë funksion, asnjë post dhe asnjë pushtet politik nuk vlen më shumë se jeta e një qytetareje të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kabashi-Ramaj i bëri thirrje edhe kryeministrit Albin Kurti që të kërkojë dorëheqjen e këtyre dy ministrave, ndërsa në rast refuzimi, t’i shkarkojë ata. “Ndarja e pushteteve nuk është ndarje nga përgjegjësia.

- Advertisement -

Koordinimi nuk është titull ceremonial. Është përgjegjësi për të identifikuar mangësitë, për të kërkuar veprim dhe për të siguruar që mekanizmat e mbrojtjes të funksionojnë”, theksoi ajo.

Ajo paralajmëroi angazhimin për zbardhjen e plotë të përgjegjësive institucionale përmes komisionit hetimor për këtë rast. “Arlindën nuk mund ta kthejmë.

Por kemi një detyrim ndaj saj, ndaj familjes së saj dhe ndaj çdo gruaje e vajze në Republikën e Kosovës.

Që vdekja e saj të mos përfundojë si një tjetër raport në arkivat e institucioneve”, shtoi Kabashi-Ramaj.

Duke iu referuar gjetjeve të publikuara nga Inspektorati Policor i Kosovës, ajo renditi një varg dështimesh serioze, përfshirë moszbatimin e një urdhri mbrojtjeje, vonesat në ekzekutimin e një urdhri tjetër, mosshqyrtimin e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrjen e masave të domosdoshme të sigurisë. “Arlinda nuk kërkoi privilegj.

Kërkoi atë që Kushtetuta dhe ligjet ia garantojnë çdo qytetari: mbrojtjen e jetës dhe sigurinë.

Prandaj, sot kërkojmë përgjigje: Kush e dinte?

Kur e dinte?

Kush kishte detyrimin të vepronte?

Dhe pse nuk veproi?”, theksoi ajo.

Kabashi-Ramaj shtoi se dorëheqja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, nuk e amniston ministrin Xhelal Sveçla nga dështimet e njëpasnjëshme në këtë institucion. “Gazmend Hoxha ka përgjegjësinë e vet.

Ajo duhet të shqyrtohet deri në fund.

Por drejtori i Policisë nuk mund të bëhet kurban i frikës së ministrit të tij për t’u përballur me përgjegjësinë politike.

Nëse ministri e konsideron dorëheqjen të arsyeshme për drejtuesin e Policisë, duhet t’u shpjegojë qytetarëve pse përgjegjësia ndalet pikërisht te dera e zyrës së tij.

Ministri nuk është penalisht përgjegjës për çdo veprim të një zyrtari policor.

Por është politikisht përgjegjës për politikat, kushtet dhe drejtimin institucional në fushën që e udhëheqë”, theksoi deputetja e PDK-së.

Ajo përmendi si shembull të keqmenaxhimit edhe anulimin e ceremonisë së diplomimit të 300 policëve të rinj për shkak të mungesës së uniformave. “Nuk mund t’i marrësh meritat për sukseset dhe t’ua lësh vartësve të gjithë përgjegjësinë për dështimet!”, deklaroi ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, shteti nuk mund të pretendojë se është i sigurt, i drejtë dhe demokratik, nëse gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre, në komunitetet e tyre dhe as kur kërkojnë ndihmën e institucioneve. “Sepse dikush duhet ta japë sinjalin se mjaft është mjaft!

Mjaft me arsyetime pas tragjedive!

Mjaft me raporte që identifikojnë dështime, por nuk sjellin përgjegjësi!

Mjaft me institucione që reagojnë vetëm pasi një grua ka humbur jetën!”, përfundoi ajo.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments