Mali i Zi mund të përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në dhjetor të vitit 2026, ndërsa Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në fushat kryesore.
Kjo është theksuar në draftin e komunikatës vjetore të Komisionit Evropian (KE) për politikën e zgjerimit, e cila pritet të publikohet javën e ardhshme.
Paketa e zgjerimit përmban dokumente që vlerësojnë përparimin e vendeve kandidate dhe atyre potenciale drejt anëtarësimit në BE.
Në përputhje me këto vlerësime, shtetet anëtare vendosin për hapat e mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit, duke përfshirë hapjen dhe mbylljen e kapitujve.
Drafti, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL), tregon se përparimi në rajon është i pabarabartë. “Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në fushat themelore”, citohet në dokument.
Fushat themelore përfshijnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike, të cilat përcaktojnë ritmin e negociatave.
Mali i Zi, nga ana tjetër, përshkruhet si lider në procesin e zgjerimit.
Sipas vlerësimit të Komisionit, Podgorica ka përmbushur kriteret përfundimtare në të gjitha kapitujt e negociatave dhe mund t’i përfundojë ato deri në fund të këtij viti. “Përparimi i jashtëzakonshëm i Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit me BE-në tregon se zgjerimi mbetet një realitet i arritshëm”, theksohet në draft.
Komisioni vlerëson se Mali i Zi ka avancuar në fushat themelore, me rezultate të mira në sundimin e ligjit, qeverisjen ekonomike dhe reformën e administratës publike.
Si dëshmi e këtij përparimi, përmendet puna për traktatin e anëtarësimit dhe propozimi për një paketë financiare.
Traktati i anëtarësimit të Malit të Zi do të zbatojë për herë të parë një “qasje të përforcuar” ndaj klauzolave mbrojtëse, që do të shërbejë si model për traktatet e ardhshme.
Ndër reformat e tjera, Komisioni veçon ndryshimet kushtetuese që forcojnë pavarësinë e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe politikën e tolerancës zero ndaj sulmeve kundër gazetarëve.
Për Serbinë, drafti përmban vlerësime kritike, duke theksuar mungesën e përparimit në fusha kyç si sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes.
Në të njëjtën kohë, përmendet se përafrimi i Serbisë me politikën e jashtme të BE-së mbetet i ulët.
Komisioni vëren se regresi në gjyqësi është korrigjuar, por presioni mbi shoqërinë civile është rritur.
Serbia përmendet si një vend ku rreziku i “kapjes së shtetit” është i theksuar.
Bosnje e Hercegovina përballet me fragmentim politik, që ndikon në funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ.
Komisioni thekson nevojën për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përkushtimin ndaj reformave ligjore.
Për Kosovën, Komisioni vlerëson se për herë të parë ka një përafrim të plotë me politikën e jashtme të BE-së, por thekson se nuk ka përparim në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova duhet të fillojë këtë proces në përputhje me detyrimet e dialogut.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës mbetet një kusht thelbësor për avancimin evropian. “Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit mbetet i pamjaftueshëm”, thuhet në draft, duke theksuar se mungesa e përparimit ka kosto politike dhe ekonomike.
Sipas draftit, deri në shtator të vitit 2026, janë disbursuar 193,3 milionë euro grante për reformuesit, duke theksuar nevojën për përshpejtim të zbatimit dhe heqjen e tarifave të roamingut në Ballkan.
Komisioni thekson se revizionizmi historik dhe glorifikimi i krimeve të luftës janë të papajtueshme me vlerat e procesit të anëtarësimit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
