Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Intervistimi pritet të fillojë në orën 13:00.
Rama do të pyetet lidhur me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”, i cili ka të bëjë me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.
Kjo kontratë është hapur nga Komuna e Prishtinës për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.
Ajo ishte paraparë të kishte një kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa vlera e saj arrin në 12 milionë euro.
Projekti ka marrë kritika të ashpra nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të cilët kanë shprehur dyshime për arsyeshmërinë e një kontrate të tillë, veçanërisht duke pasur parasysh se Rama vetë është arkitekt.
Në një konferencë për media të mbajtur më 11 gusht 2022, asamblistja e VV-së, Triera Kasumi Berisha, ka deklaruar se Prishtina përballet me shumë probleme, ndërsa Komuna po planifikon një tender që, sipas saj, përbën rreth 13 për qind të buxhetit të përgjithshëm vjetor.
Ajo ka kritikuar gjithashtu faktin se, sipas saj, tenderi nënçmon punën e profesionistëve që tashmë janë të angazhuar në departamentet e Komunës. “Banorët e këtij qyteti, i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”, ka deklaruar ajo.
Kasumi Berisha ka pretenduar gjithashtu se tenderi parashihte krijimin e planeve rregulluese që, sipas saj, tashmë ishin realizuar ndër vite.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
