BallinaSportKosova U15 përfundon me sukses në FIFA U15 World Cup&Festival në Baku

Kosova U15 përfundon me sukses në FIFA U15 World Cup&Festival në Baku

- Advertisement -

Kombëtarja e Kosovës U15 e përmbylli me sukses pjesëmarrjen në FIFA U15 World Cup&Festival, i cili u organizua në Baku të Azerbajxhanit.

Dardanët e rinj përfunduan turneun me një fitore të madhe 6-1 ndaj Burundit në ndeshjen e fundit.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e përcolli këtë ndeshje nga afër.

Para kësaj, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani arriti deri në çerekfinale të nivelit D, ku pësuan humbje 3-2 nga Republika Dominikane pas ekzekutimit të penalltive.

Koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.

- Advertisement -

Kosova pati një rrugëtim të pasur me shumë ndeshje dhe sfida të rëndësishme në këtë festival, i organizuar për herë të parë nga FIFA.

Gjatë kësaj ngjarjeje, Dardanët U15 regjistruan fitore ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit, ndërsa pësuan humbje nga Estonia, Franca, Republika Dominikane dhe Lituania.

Kjo pjesëmarrje ishte shumë e rëndësishme për Dardanët e rinj, të cilët patën mundësinë të përballen me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme dhe të fitojnë përvojë të vlefshme ndërkombëtare.

Përzgjedhësi Ilir Nallbani shprehu kënaqësinë për angazhimin, disiplinën dhe karakterin e treguar nga futbollistët gjatë 12 ditëve në Baku. “Ka qenë vërtet një eksperiencë shumë e mirë, si për trajnerët dhe stafin, ashtu edhe për të gjithë futbollistët e përzgjedhur për këtë udhëtim.

Jam shumë i kënaqur, para së gjithash, me angazhimin dhe disiplinën që kanë treguar gjatë 12 ditëve sa kemi qëndruar këtu.

Në të gjitha ndeshjet, djemtë kanë treguar karakter dhe një qasje shumë pozitive”, tha Nallbani.

Ai veçoi ngarkesën fizike si një nga sfidat më të mëdha të këtij eventi, pasi skuadrat u përballën me një kalendar të ngjeshur dhe ndeshje në mëngjes dhe pasdite. “Ka qenë një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe për të gjitha ekipet, pasi kemi pasur ndeshje edhe në mëngjes, edhe pasdite.

Kjo ka ndikuar shumë edhe te ne.

Megjithatë, djemtë, falë motivimit dhe dëshirës që kanë pasur, kanë arritur ta përballojnë edhe lodhjen dhe të japin maksimumin në fushë,” theksoi ai.

Duke folur për paraqitjet e Kosovës dhe eliminimin në çerekfinale të Grupit D, Nallbani vlerësoi se skuadra kishte potencial për të shkuar edhe më larg. “Ndeshjet kanë qenë të vështira dhe edhe shortin e kemi pasur të vështirë që nga fillimi.

Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe arritur fitore.

Edhe në ndeshjen ndaj Republikës Dominikane luajtëm mirë, por në penallti nuk patëm fat.

Kështu e ka futbolli.

Po ta kishim kaluar atë sfidë, besoj se do të kishim arritur deri në finale të këtij grupi,” përfundoi përzgjedhësi i Kosovës U15.

Në përfundim, Nallbani shprehu kënaqësinë për angazhimin e futbollistëve dhe shpresoi që kjo përvojë të shërbejë si motiv shtesë për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e tyre në të ardhmen.

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments