Rasti i Arlinda Zekajt dhe dhuna ndaj grave kanë qenë në qendër të një deklarate në Kuvend, ku deputetja Edona Llalloshi apeloi për bashkim dhe veprime konkrete nga institucionet për të parandaluar raste të tilla.
Ajo theksoi se tragjedia e Arlindës duhet të shërbejë si një moment kthesë në shoqëri, duke kërkuar që të gjithë të bashkohen kundër dhunës dhe burrave që, sipas saj, e përdorin atë si një mjet për të sunduar. “Vrasja e Arlindës duhet të na shërbejë si pikë kthesë, duhet të bashkohemi kundër atyre burrave që e kanë kthyer dhunën në mjet sundues, o do të më nënshtrohesh, o do të vdesësh.
E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë”, u shpreh ajo.
Llalloshi gjithashtu ndau tragjedinë që kishte prekur familjen e saj, duke përmendur se në vitin 2008, kushërira e saj, mjekja e respektuar Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti. “Në vitin 2008, kushërira ime, mjeke e respektuar, Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj.
Edhe pse kanë kaluar 18 vite, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë”, deklaroi ajo.
Duke folur për përmasat e këtij fenomeni në Kosovë, Llalloshi nënvizoi se që nga paslufta më shumë se 80 gra kanë humbur jetën në raste të tilla.
Ajo theksoi se pas secilit rast qëndron një jetë e humbur, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që përballen me pasoja të rënda emocionale. “Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbeten me plagë për gjithë jetën.
Dhe sot duhet ta shtrojmë një pyetje: edhe sa gra duhet të humbin jetën që ne të reagojmë me seriozitet?”, tha Llalloshi.
Deputetja bëri thirrje që institucionet dhe shoqëria të mos presin një tjetër tragjedi për të ndërmarrë hapa konkretë kundër dhunës ndaj grave. “Andaj, të mos presim një tjetër tragjedi.
Koha është të veprojmë tani me vendosmëri, t’i kthejmë fjalët në veprim dhe fjalët në përgjegjësi”, përfundoi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
