Chelsea është këshilluar të përqendrohet në transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Frenkie de Jong, në vend të Alex Scottit të Bournemouthit, pasi londinezët po kërkojnë të forcojnë repartin e mesfushës.
Këtë sugjerim e bëri ish-mbrojtësi i “Bluve”, Glen Johnson.
Në një prononcim për Action Network, Johnson vlerësoi cilësitë e mesfushorit holandez, duke theksuar se ai do të ishte një përforcim i rëndësishëm për Chelsean, nëse arrin të jetë në formë të mirë fizike. “Nëse Frenkie de Jong është i gatshëm fizikisht, ai është një lojtar i shkëlqyer”, u shpreh Johnson, duke pranuar se ka pyetje rreth gjendjes së tij fizike dhe kostos së mundshme të transferimit. “Zoti e di se sa do të kushtonte, por përderisa është në gjendje të mirë fizike, mendoj se do të ishte një transferim i shkëlqyer”, shtoi ai.
Ndërkohë, Chelsea raportohet se ka parë të refuzohet një ofertë prej 64 milionë eurosh për Alex Scottin, me Bournemouthin që thuhet se e vlerëson mesfushorin 23-vjeçar rreth 100 milionë euro.
Liverpooli gjithashtu ka shprehur interesim për shërbimet e reprezentuesit anglez.
Johnson e vlerësoi përparimin e Scottit, i cili ka nisur sezonin mirë dhe ka fituar hapësirë në përfaqësuesen e Anglisë.
Megjithatë, ish-mbrojtësi i Chelseat beson se nevojiten më shumë paraqitje për të vërtetuar nëse mesfushori mund të jetë vazhdimisht në nivelin e kërkuar nga një skuadër që synon katër vendet e para. “Ende nuk e dimë këtë, por ai ka treguar disa momente shumë të mira, e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer dhe, natyrisht, është përfshirë në përfaqësuesen e Anglisë.
Kjo vetëm sa do t’ia rrisë vetëbesimin”, përfundoi Johnson.
