Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi “nuk i ndryshojnë themelet e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, as detyrimet e marra përsipër nga palët”. “Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk varet nga liderë të veçantë politikë.
Të gjitha zotimet ekzistuese mbeten në fuqi, përfshirë ato që burojnë nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit (Marrëveshja e Ohrit)”, ka thënë një zëdhënës i BE-së në një përgjigje me shkrim për RTK-në.
Sa i përket qeverisë së re që pritet të formohet në Serbi pas zgjedhjeve të 25 tetorit, zyrtarët në Bruksel janë të kujdesshëm në pritjet e tyre ndaj pushtetit të ri në Beograd.
Sipas tyre, në këtë fazë do të ishte e parakohshme të spekulohej për ndryshime të mundshme në qëndrimin negociues të Serbisë apo për pasojat e tyre në dialog. “Presim që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, të respektojë zotimet e saj ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.
Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar me udhëheqjen e re, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë dhe ruajtjes së dinamikës së procesit.
Në Serbi, më 25 tetor u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Fitues bindës doli Lista Studentore, ndërsa partia e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq pësoi disfatë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
