Dy të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet që të vazhdojë gjykimi ndaj tyre.
Ky proces gjyqësor kishte filluar kohët e fundit, ndërsa të dy akuzuarit sërish e kanë shprehur pafajësinë e tyre lidhur me akuzat që u janë ngritur.
Në seancën e datës 9 tetor, Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Beqiri, njoftoi se për shkak të afatit të pensionimit të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, ai do të zëvendësohet nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli.
Kështu, gjykimi ka nisur përsëri.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit gjatë seancës fillestare të mbajtur më 17 mars 2025.
Megjithatë, Qerimi e ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për veprën penale të spiunazhit, e cila është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi dyshohen se kanë ofruar informacione për Shërbimin Sekret Serb (BIA) lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë, i cili ka udhëhequr operacionin policor-ushtarak gjatë një prej masakrave në Kosovë.
Shabani dhe Qerimi akuzohen se kanë transmetuar këto informacione edhe përmes telefonave dhe e-mail-eve.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale të spiunazhit, ndërsa Muharrem Qerimi përveç kësaj edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
