Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizoi sot një konferencë për media, në të cilën u shpalosën qëndrimet e tyre për procedurën parlamentare dhe përmbajtjen e Projektligjit për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky Projektligj pritet të votohet të enjten në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës.
Përfaqësuesit e GLPS-së theksuan se ky Projektligj aktual nuk adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe komentet e shoqërisë civile, duke hapur mundësinë që Byroja të shndërrohet në një mjet politik dhe të dëmtojë sigurinë juridike të qytetarëve.
Sa i përket procedurës mes dy leximeve, GLPS shprehu shqetësimin se Grupi Punues nuk arriti të shqyrtojë me kujdes përmbajtjen e Projektligjit, amandamentet e propozuara, si dhe rekomandimet dhe analizat ligjore të organizatave të shoqërisë civile.
Më shumë, mbajtja e takimeve të grupit punues në të njëjtën kohë me grupe të tjera punuese në projektligjet e reformës në drejtësi dhe brenda një periudhe të shkurtër, ka penguar kontributin e anëtarëve në shqyrtimin e përmbajtjes së Projektligjit, duke e kaluar këtë procedurë si një formalitet.
Në lidhje me përmbajtjen, GLPS vlerëson se Projektligji përmban të njëjtat dispozita, të cilat Gjykata Kushtetuese i kishte shfuqizuar me Aktgjykimin KO46/23 në vitin 2023.
Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese konstatoi se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve nuk mund të realizohet për një periudhë më të gjatë se 10 vite, për shkak të pamundësisë objektive për të siguruar prova, Projekti aktual vazhdon të përmbajë dispozita që i nënshtrohen çdo pasurie dhe çdo zyrtari që nga data 17 shkurt 2008.
Projektligji aktual nuk ka arritur të sigurojë pavarësinë funksionale të Byrosë, duke rrezikuar që e njëjta të shërbejë më shumë si mjet politik sesa si mekanizëm për konfiskim civil. Është shqetësuese që dispozitat aktuale parashikojnë një shumicë të thjeshtë për emërimin e Drejtorit dhe tre anëtarëve të Byrosë, ndërsa kandidatët për këto pozita duhet të kenë vetëm 5 vjet përvojë pune.
Projektligji aktual gjithashtu nuk garanton sigurinë juridike të subjekteve që potencialisht mund të jenë nën verifikim dhe konfiskim, duke lënë hapësirë që Byroja të tërhiqet nga propozuar për konfiskim në çdo fazë, pa specifikuar qartë nëse do të mund të iniciohet procedurë penale nëse provat e mbledhura tregojnë se pasuria është fituar përmes veprës penale.
Dispozitat aktuale nuk sigurojnë barazi të palëve në procedurën e konfiskimit civil, duke kërkuar që subjekti të merret në pyetje nga gjykata, zyrtari i Byrosë dhe pala e tretë në seancë në lidhje me pasurinë që është objekt shqyrtimi.
Pra, ndonëse fryma e zbatimit të procedurës së konfiskimit civil është tërësisht kontestimore, këto dispozita përcaktojnë elemente që e vënë në pikëpyetje zhvillimin e një procedure të paanshme.
Duke marrë parasysh rëndësinë e krijimit të Byrosë dhe konstatimet e mësipërme mbi dispozitat e Projektligjit, GLPS kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të mos procedohet me votimin në lexim të dytë pa u adresuar çështjet që ndihmojnë në zbatimin efikas, sigurinë juridike dhe pavarësinë e plotë të mekanizmit për konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
