Aktori amerikan Walter Koenig, i njohur kryesisht për rolin e Pavel Chekovit në serialin “Star Trek”, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.
Ai vdiq të dielën, për shkaqe natyrore, në shtëpinë e tij në North Hollywood, ndërsa pranë tij ishin vajza Danielle dhe mbesa.
Koenig u bë i njohur për publikun përmes rolit të navigatorit rus Pavel Chekov në serialin origjinal “Star Trek”, ku u shfaq në 36 episode.
Ai e interpretoi të njëjtin personazh edhe në disa filma të serisë, duke u bërë një nga figurat e dashura për fansat.
Përveç “Star Trek”, aktori luajti edhe në produksione të njohura si “Babylon 5” dhe “Columbo”, si dhe kontribuoi me zërin e tij në seriale të animuara, përfshirë “Futurama”.
Ai vazhdoi të merrej me aktrim deri në fund të jetës.
Gjatë këtij viti, Koenig u vlerësua në festivalin Independent Shorts Awards për rolin e tij në filmin “Mr.
Fleischmann”.
Përfaqësuesi i tij e kujtoi si një artist të talentuar, i cili kishte ruajtur gjithmonë një marrëdhënie të ngrohtë me admiruesit e tij.
Jeta personale e aktorit u shënua nga humbje të dhimbshme.
Djali i tij, Andrew, vdiq në vitin 2010, ndërsa bashkëshortja Judy, me të cilën ishte i martuar për gati 60 vjet, ndërroi jetë në vitin 2022.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
