Kosova ka realizuar vetëm 18 nga 62 reformat e parashikuara në Agjendën e Reformave si pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa pengesat politike kanë ndikuar negativisht në procesin e reformave dhe kanë rrezikuar humbjen e mbi 40 milionë eurove, sipas analizave të Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Gjatë tryezës së rrumbullakët me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas ngërçit politik: Shndërrimi i momentit të favorshëm në reforma”, u prezantua përditësimi i Agjendës së Reformave për semestrin e tretë, ku u evidentua shkalla e ulët e zbatimit të reformave dhe koha e kufizuar për përmbushjen e masave të mbetura.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS, Njomza Arifi, theksoi se bllokadat politike që kanë zgjatur më shumë se dy vjet i kanë kushtuar Kosovës jo vetëm në kohë, por edhe në performancën institucionale, sundimin e ligjit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik. “Bllokadat që kanë zgjatur për më shumë se dy vjet kanë sjellë mungesë performance dhe na kanë kushtuar shumë.
Kjo ka ndikuar negativisht në sundimin e ligjit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik, duke e vështirësuar përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Vlerësimi i qeverisë tregon se deri në qershor mund të humbim mbi 40 milionë euro.
Aktualisht, kemi shumë pak kohë deri në fund të dhjetorit për të zbatuar 27 masa të tjera, të cilave u skadon afati më 31 dhjetor të këtij viti, dhe gjithë plani i rritjes deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
Pra, koha është në disfavorin tonë, dhe është e rëndësishme që këto reforma të jenë cilësore”, u shpreh Arifi.
Ajo theksoi se Kosova duhet të tregojë rezultate konkrete në zbatimin e reformave për të avancuar drejt Bashkimit Evropian, duke shtuar se perspektiva evropiane duhet të shoqërohet me mundësi më të hershme për pjesëmarrje në politikat dhe mekanizmat e BE-së. “Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme të diskutohet mbi perspektivën evropiane të Kosovës, sidomos tani, pasi po diskutohen forma të reja të zgjerimit, përfshirë integrimin gradual.
Kosova duhet të përgatitet për anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, por gjithashtu për mundësitë e pjesëmarrjes më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë.
Për këtë, na duhen rezultate të prekshme; nuk mjafton të jemi vetëm populli më pro-evropian në Ballkan, por duhet të kemi reforma të dukshme që implementohen”, tha ajo.
Autori i raportit dhe hulumtuesi i GLPS, Besar Gërgi, gjatë prezantimit të përditësimit të Agjendës së Reformave, bëri të ditur se sipas raportimit të Qeverisë, janë përmbushur shtatë nga 13 hapat reformues me afat deri në qershor të vitit 2026. “Qeveria ka raportuar se janë përmbushur 7 nga 13 hapa reformues që kanë pasur afatin përfundimtar qershor 2026, që nënkupton një shkallë zbatimi pak më shumë se 50%.
Sipas raportit të parë zyrtar të qeverisë, nga 62 reforma të parashikuara, deri tani janë zbatuar vetëm 18, që do të thotë diku një shkallë zbatimi prej rreth 29%.
Në aspektin financiar, Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro nga plani i rritjes, por deri tani ka përfituar vetëm 7% nga parafinancimi”, tha Gërgi.
Ai gjithashtu theksoi se vonesat në ratifikimin e marrëveshjeve kanë penguar raportimin zyrtar të Kosovës te Komisioni Evropian deri në dorëzimin e raportit të parë më 15 korrik. “Problemi më i madh ka qenë mosratifikimi i marrëveshjeve, që e ka penguar raportimin zyrtar të qeverisë së Kosovës te Komisioni Evropian.
Raporti i parë zyrtar është dorëzuar më 15 korrik, dhe tashmë jemi në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian.
Vetëm pas këtij vlerësimi do të kemi një pasqyrë më të saktë se çfarë është zbatuar dhe çfarë ka mbetur pa u realizuar.
Në qershor u përmbyll edhe afati i katërt nga 7 në total, dhe do ta përmbyllim edhe semestrin e pestë deri në fund të vitit”, tha ai.
Gërgi vlerësoi se kriza politike ka ndikuar ndjeshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke paralajmëruar se Kosova ka më pak se një vit të plotë për të përmbushur objektivat e mbetura. “Duhet të kemi parasysh se nuk kemi asnjë vit të plotë përpara nesh.
Shkalla e ulët e zbatimit dhe pengesat e shumta shpjegohen kryesisht për shkak të krizës politike.
Kuvendi është konstituar më 11 shkurt, dhe dy ditë më pas janë ratifikuar dy marrëveshje, pas të cilave, më 19 mars është emëruar koordinatori kombëtar”, përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
