Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi po zhvillohen me një pjesëmarrje të lartë nga qytetarët dhe radhë të gjata para vendvotimeve, por janë raportuar edhe disa parregullsi.
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, deri në mesditë kanë votuar 34,55 për qind e votuesve, një shifër dukshëm më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2023.
Procesin e monitorojnë mbi 16 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë.
Që nga orët e para të mëngjesit, në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera serbe janë formuar radhë të gjata para vendvotimeve.
Disa qytetarë kanë pritur deri në tri orë për të ushtruar të drejtën e votës.
Qytetarët e Beogradit, të cilët janë intervistuar, kanë shprehur pritshmëri për zgjedhje të lira dhe të drejta. “Pres pjesëmarrje të madhe dhe që të triumfojë sundimi i ligjit”, tha një qytetare. “Ne të tre po presim tash e tri orë.
Nëse duhet, do të presim edhe tri orë të tjera.
Presim që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta”, tha një votues tjetër.
Pjesëmarrja ka qenë dukshëm më e lartë se në vitin 2023.
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), deri në orën 12:00, 34,55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kishin votuar, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, në të njëjtën kohë, pjesëmarrja ishte 21,33 për qind.
Organizata monitoruese CRTA raportoi se deri në orën 13:00 pjesëmarrja kishte arritur në 41,1 për qind, krahasuar me 26,6 për qind në zgjedhjet e mëparshme.
Pjesëmarrja më e lartë deri në mesditë u regjistrua në Vojvodinë, me 38,08 për qind, ndërsa në Beograd kishin votuar 35,23 për qind e votuesve.
Gjatë ditës, janë votuar edhe përfaqësuesit kryesorë politikë, përfshirë Aleksandar Vuçiqin dhe përfaqësues të opozitës.
Megjithatë, dita e zgjedhjeve po shoqërohet me raportime për parregullsi.
Organizata CRTA njoftoi se në 16 për qind të vendvotimeve që monitoron janë regjistruar vonesa në hapje dhe shkelje të fshehtësisë së votës, veçanërisht fotografimi i fletëvotimeve.
Drejtori programor i CRTA-s, Rasha Nedeljkov, tha se deri në mesditë fotografimi i fletëvotimeve është vërejtur në çdo të katërtin vendvotim të monitoruar nga kjo organizatë.
Në Beograd, kjo parregullsi është regjistruar në çdo të dytin vendvotim.
Janë raportuar gjithashtu raste të pranisë së personave të paautorizuar në vendvotime dhe dyshime për blerje votash në Novi Sad.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, tha se votimi po zhvillohet kryesisht në rregull, megjithëse janë regjistruar disa incidente.
Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të drejtë vote kanë gjithsej 6.451.292 qytetarë, ndërsa për 250 vende në Kuvend garojnë 18 lista zgjedhore.
Votuesit serbë nga Kosova kanë 60 vendvotime në katër qytete të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Interesimi për zgjedhjet ka qenë i lartë edhe në diasporë, ku janë regjistruar mbi 102 mijë votues.
Votimi jashtë Serbisë është organizuar në 93 vendvotime në 37 shtete.
Procesin zgjedhor po e përcjellin mbi 16 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Koordinatori i posaçëm i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, Zhil Bom, vlerësoi se pjesëmarrja e lartë tregon interesimin e qytetarëve për të ardhmen e vendit.
Ai tha se përfaqësuesit e dy listave kryesore zgjedhore kanë shprehur gatishmërinë për t’i pranuar rezultatet.
Vendvotimet do të mbyllen në orën 20:00, kur priten edhe vlerësimet e para të rezultateve.
Zgjedhjet po mbahen pas protestave disamujore studentore dhe qytetare, ndërsa vëmendja është përqendruar kryesisht te blloku i Aleksandar Vuçiqit dhe Lista Studentore.
Rezultatet do të tregojnë se sa janë shndërruar pakënaqësitë e qytetarëve në mbështetje elektorale, ndërsa vlerësimet e vëzhguesve do të jenë të rëndësishme për besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
