Rahoveci 029 ka arritur një fitore emocionuese ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, duke e mposhtur me një rezultat të ngushtë 100:99 në xhiron e gjashtë të kampionatit.
Ndeshja u vendos në sekondat e fundit, kur Vëllaznimi pati mundësinë ta përmbyste rezultatin, por nuk e shfrytëzoi rastin vendimtar.
Gjakovarët u afruan në vetëm një pikë pas dy gjuajtjeve të lira të realizuara nga Kentrell Pullian, duke e bërë fundin e takimit edhe më dramatik.
Vetëm dy sekonda para fundit, Meriton Ismaili kishte mundësinë të shënonte për tri pikë dhe t’i jepte fitoren Vëllaznimit, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë koshit.
Kështu, Rahoveci 029 arriti ta ruajë epërsinë minimale dhe të festojë një fitore të rëndësishme.
Pjesa e parë ishte mjaft e barabartë, me Vëllaznimin që shkoi në pushim me një epërsi minimale, 51:50.
Edhe në pjesën e dytë, të dy skuadrat zhvilluan një përballje të fortë, ndërsa në fund, fitorja i takoi Rahovecit 029.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Rahovecin 029, ndërsa Vëllaznimi pësoi humbjen e tretë radhazi.
Më i dalluari te Rahoveci 029 ishte Mika Adams, i cili shkëlqeu me 37 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime.
Kontribut të madh në fitore dha edhe Kareem Rozier me 29 pikë, tri kërcime dhe tri asistime.
