Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzat Rexhepi, ka diskutuar për pritshmëritë dhe sfidat që përballen shqiptarët në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Rexhepi theksoi se numri i mandateve që mund të fitojnë shqiptarët ka potencialin të tejkalojë objektivin prej tri ulësesh, megjithatë, rreziku kryesor mbetet presioni i vazhdueshëm dhe i orkestruar nga aparati shtetëror serb. “Shqiptarët, në bazë të numrit që kemi të votimeve, mund ta kalojnë numrin tre; maksimumi mund të jetë pesë.
Por çështja është se besoj që do të ketë shumë presione nga shteti, sepse Aleksandër Vuçiq po përdor të gjithë aparatin shtetëror për të ndalur këtë proces, ngase është në gjendje kritike politike”, tha Rexhepi.
Ai gjithashtu paralajmëroi përfshirjen e shërbimeve sekrete dhe personave të sjellë nga qytete të tjera të Serbisë për të frikësuar votuesit. “Unë dyshoj që do të ketë trysni nga shërbimet sekrete serbe, të cilët janë prezentë edhe në Luginën e Preshevës.
Gjithashtu, nëpër kutitë e votimit kanë prurë njerëz nga Nishi e Leskoci për të ushtruar presion te qytetarët që të dalin sa më pak në votime”, shtoi ai.
Sipas tij, pavarësisht retorikës nacionaliste dhe gjuhës së urrejtjes të përdorur gjatë fushatës nga Beogradi zyrtar, faktori shqiptar ka treguar maturi dhe synon një mobilizim masiv për të mbrojtur të drejtat e veta.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
