Bordi i Drejtorëve i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Gjakova” ka marrë vendimin për shkarkimin e Hasan Krasniqit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv.
Kjo është bërë pas një shqyrtimi të detajuar të përgjegjësive të tij menaxheriale dhe trajtimit të çështjes së një objekti administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit, e cila u mbajt më 23 tetor, ku u shënuan pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Në një komunikatë për media, Bordi sqaroi se vendimi është marrë pas shqyrtimit të dokumentacionit të kompanisë, akteve të organeve administrative dhe gjyqësore, si dhe sqarimeve që janë paraqitur nga Krasniqi.
Një nga çështjet kryesore që ka ndikuar në këtë vendim është zbatimi i një aktvendimi të datës 9 shtator 2026, me anë të të cilit KRU “Gjakova” ishte urdhëruar të ndërmerrte masa për ndërprerjen e aktivitetit të operatorit në një objekt pranë Digës së Liqenit të Radoniqit.
Bordi theksoi se ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullonte ekzekutimin e tij dhe menaxhmenti duhej të merrte veprime konkrete, të dokumentuara dhe në kohë për zbatimin e urdhrit.
Gjatë shqyrtimit, Bordi gjithashtu analizoi dokumentacionin e lidhur me kërkesën e kompanisë të vitit 2017, pëlqimin e datës 2 maj 2017 dhe kontratën e qirasë të nënshkruar më 4 prill 2018.
Sipas komunikatës, nga dokumentacioni i shqyrtuar nuk është identifikuar ndonjë akt i mëvonshëm nga organi kompetent që autorizon shprehimisht përdorimin e objektit për destinimin “Restorant dhe Hotel”, siç përcaktohet në kontratën e qirasë.
Bordi gjithashtu mori parasysh shqetësimet e menaxhmentit lidhur me pasojat e mundshme kontraktuale dhe financiare ndaj operatorit ekonomik.
Megjithatë, u vlerësua se zbatimi i urdhrit administrativ për ndërprerjen e aktivitetit duhej të trajtohej ndaras nga çështja e zgjidhjes ose ndërprerjes përfundimtare të kontratës së qirasë.
Para marrjes së vendimit, Krasniqit i është dhënë mundësia të paraqesë qëndrimin e tij dhe të dorëzojë dokumentacionin që e konsideronte të rëndësishëm.
Pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, Bordi vlerësoi se masat e ndërmarra nga kryeshefi ekzekutiv nuk kanë qenë të mjaftueshme për zbatimin e detyrimeve që rridhnin nga aktet administrative të ekzekutueshme. “Bordi ka vlerësuar se mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje përbënte mangësi serioze në përmbushjen e përgjegjësive menaxheriale dhe kishte cenuar besimin e nevojshëm të Bordit për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të Kryeshefit Ekzekutiv nga z.
Hasan Krasniqi”, thuhet në komunikatë.
Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit dhe pasurisë së ndërmarrjes publike, transparencës dhe ushtrimit me përgjegjësi të funksionit mbikëqyrës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




