Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rikthyer bisedat për një mundësi të ndërhyrjes në Kubë, duke thënë se anijet luftarake të Shteteve të Bashkuara mund të ndalen pranë ishullit gjatë kthimit nga Irani.
Gjatë një tubimi në Florida, Trump theksoi se administrata e tij do të merret me çështjen e Kubës pasi të përfundojë me Iranin, pa ofruar detaje të qarta për hapat që mund të ndërmarrë Uashingtoni. “Do të merremi me Kubën gjatë kthimit nga Irani.
Do të bëjmë një ndalesë të shkurtër”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai gjithashtu përmendi mundësinë që anijet luftarake amerikane të afrohen pranë bregdetit kuban, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të ushtrojë presion ndaj autoriteteve të ishullit.
Edhe pse Trump nuk paraqiti ndonjë plan konkret për ndërhyrje ushtarake, deklaratat e tij vinë në një kohë kur administrata amerikane ka intensifikuar presionin ndaj qeverisë komuniste të Kubës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shprehur mbështetje për një qëndrim të ashpër ndaj Havanës, duke argumentuar se lidhjet e saj me kundërshtarët e SHBA-së paraqesin një shqetësim për sigurinë kombëtare amerikane.
Ndërkohë, Kuba po përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe energjetike, me mungesa karburanti, ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe vështirësi në furnizimin me ushqime.
