Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, më 15 tetor, një seancë plenare që do të fillojë në orën 10:00.
Gjatë kësaj mbledhjeje, deputetët pritet të shqyrtojnë formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, në rendin e ditës janë gjithsej shtatë pika, përfshirë pyetjet parlamentare dhe përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Deputetët gjithashtu do të shqyrtojnë propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme dhe deklarimet jashtë rendit të ditës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





