Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësime të thella për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit ex officio për to dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një tryezë diskutimi të organizuar në Prishtinë, Qelaj theksoi se, sipas raportit, Dhomat e Specializuara nuk po i nënshtrohen monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës. “Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, theksoi ai, duke cituar raportin.
Ai vuri në dukje se mungesa e një elementi vendor dhe e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës ngre shqetësime të tjera rreth respektimit të standardeve për një proces të drejtë e të paanshëm.
Qelaj kërkoi nga financuesit e Gjykatës Speciale që të shqyrtojnë të gjitha provat dhe të vlerësojnë drejtësinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Kam kërkuar nga financuesit e kësaj gjykate t’i shqyrtojnë të gjitha provat dhe të binden se kjo gjykatë nuk është e drejtë”, shprehu mendimin e tij Qelaj.
Ndërkohë, Burim Tahiri, këshilltar i lartë juridik në Departamentin për Çështje Juridike të IAP-së, nënvizoi se “raporti nuk ka për qëllim ndërhyrjen në rastet që po trajtohen pranë Dhomave të Specializuara, por ngre shqetësime lidhur me standardet e përcaktuara për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, lirinë dhe sigurinë, efikasitetin e mjeteve juridike, si dhe transparencën dhe llogaridhënien institucionale”.
Raporti i publikuar nga Avokati i Popullit trajton gjithashtu çështje si kohëzgjatja e paraburgimit, barazia e armëve mes palëve, pranueshmëria e provave, monitorimi i komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës.
Në mesin e rekomandimeve, Avokati i Popullit kërkon që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mbështesin krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara.
Po ashtu, raporti rekomandon që shqetësimet e identifikuara t’u adresohen Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Ky raport ex officio ka si synim të trajtojë çështjet e transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve të procesit të drejtë në funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





