Pas vrasjeve të fundit në Gjilan, kryetari i komunës, Alban Hyseni, ka kërkuar që të shtohen kontrollet policore për armëmbajtje pa leje dhe të rritet prezenca e policisë në shkolla.
Në një postim në Facebook, Hyseni njoftoi se këto kërkesa i ka paraqitur gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve u informuan për detajet e rasteve tragjike të fundit nga drejtori rajonal i policisë dhe komandanti i stacionit policor.
Hyseni theksoi se Komuna e Gjilanit është e gatshme për të bashkëpunuar plotësisht me organet e rendit, ndërsa përfaqësuesit institucionalë kanë premtuar angazhim më të madh për të parandaluar ngjarje të tilla. “Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit,” ka shkruar Hyseni.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





