Derisa deri tani për punën e Policisë është raportuar në media, tashmë ky institucion ka në plan të krijojë “Radio Policia”.
Kjo nismë po has kritikë nga profesorë dhe juristë të gazetarisë.
Hapjen e një radio të tillë, Policia e Kosovës e sheh si një model të “Radio KFOR-it”. “Ju informojmë se, Policia e Kosovës vite më parë ka filluar analizimin përmes grupit punues për radio të Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka konsultuar edhe partnerë ndërkombëtarë e vendor, përfshirë edhe modelin e radio KFOR-it që funksionon që nga paslufta në Kosovë, si dhe takime me disa radio të ndryshme në Kosovë, për procedurat e funksionimit dhe punës së tyre në transmetim të lajmit/informacionit.
Andaj, sipas planifikimeve e procedurave të parapara, PK-ja ka bërë analizë për radio të PK-së, me qëllim të promovimit të punës së policisë në komunitet dhe policia me qenë sa më afër qytetarëve për të adresuar shqetësimet e çështjeve të sigurisë në bashkësi”.
Profesori Alban Zeneli e konsideron këtë iniciativë si një hap që mund të shërbejë si ide për institucionet e tjera shtetërore. “Në parim, ideja e Policisë së Kosovës është e gabuar për shkak të disa arsyeve.
Së pari, si një agjenci e zbatimit të ligjit, është agjenci shtetërore dhe, rrjedhimisht, nëse kërkesa e Policisë aprovohet nga KPM, secila agjenci, përfshirë ministritë, do të hapte stacionet e veta. Është në kundërshti me logjikën e tregut të lirë të mediave”.
Sipas profesorit të gazetarisë, radiostacionet e tilla mund të krijohen vetëm në kohë trazirash. “Krahasimi me radio-KFOR është krejtësisht i gabuar, për shkak se RADIO KFOR është formësuar nga misioni ushtarak të NATO-s, për çka është themeluar, është për një komunikim emergjent gjatë luftës.
Ato arsye nuk ekzistojnë më, ashtu siç duhet të mos ekzistojë më as Radio KFOR”.
Kritika për këtë çështje ka ngritur edhe juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila ka paralajmëruar për rrezikun e propagandës shtetërore, ndikimit politik dhe kostos financiare për buxhetin e vendit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





