Vjeshta është periudha kur rastet e gripit sezonal rriten ndjeshëm.
Edhe pse vaksinimi kundër gripit për këtë vit pritet të nisë me vonesë në Kosovë, qytetarëve u rekomandohet të marrin masa mbrojtëse për shëndetin e tyre, pasi rastet e gripit janë në rritje.
Që nga fillimi i sezonit të vjeshtës, qendrat e mjekësisë familjare po përballen me një fluks të madh pacientësh që kërkojnë trajtim.
Vetëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani, deri në 200 pacientë kërkojnë shërbim çdo ditë, dhe një numër i konsiderueshëm paraqiten me simptoma gripi. “Simptomat e gripit po prekin të gjitha grupmoshat, nga fëmijët deri te të moshuarit.
Vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e gripit sezonal,” thotë Nesrije Paqarada, specialiste e mjekësisë familjare.
Ajo thekson se vaksinat janë veçanërisht të nevojshme për të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore, për të shmangur komplikimet në rast infeksioni me grip.
Megjithatë, vaksinimi, i cili ishte planifikuar të fillonte në javën e parë të tetorit, do të vonohet pasi vaksinat ende nuk kanë arritur në vend.
Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, vaksinat për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë më 21 tetor.
Kjo vonesë është rezultat i problemeve në prodhimin dhe furnizimin global të vaksinave.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të marrin masa mbrojtëse për t’u mbrojtur nga gripi. “Ne zakonisht ushqehemi pak a shumë rregullisht.
I përdorim çajrat dhe kujdesemi për veten, aq sa mundemi,” shprehet një qytetar.
Një tjetër qytetar thotë: “I marrim rregullisht vaksinat dhe ua rekomandoj të gjithëve që ta marrin vaksinën, sepse janë shumë të dobishme.” Mjekët gjithashtu këshillojnë që ata që kanë simptoma gripi të qëndrojnë në ambiente familjare dhe të kenë kujdes të shtuar ndaj higjienës personale, përdorimin e maskave, konsumimin e lëngjeve dhe shmangien e ambienteve të mbipopulluara.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





