Banorët e disa lagjeve në Prishtinë, të cilët preferuan të mbesin anonimë, shprehen se kompania “Pastrimi” nuk po e respekton orarin e paracaktuar për mbledhjen e mbeturinave.
Në lagjen “Tokbahçe” janë hedhur edhe mbeturina inerte, duke e përkeqësuar situatën.
Po ashtu, lagja “Katër Llullat” po përballet me një numër të konsiderueshëm mbeturinash voluminoze.
Opozita po e akuzon kryetarin, Përparim Rama, për këtë situatë, duke shprehur dyshime edhe për funksionimin e ndërmarrjes së re që është themeluar javë më parë.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Krasniqi, tha: “Një ndërrmarrje me qat menaxhment të njëjtë nëse nuk ka pas mundësi deri më tani nuk ka me pas mundësi me bë as tash e tutje sepse nëse deri tani nuk kanë ble kamiona qysh kanë me ble tani janë disa pyetje që a ka me qenë Prishtina më e pastërt apo jo.” Për këtë problem, kompania “Pastrimi” dha një sqarim, duke thënë: “Gjatë ditëve të fundit janë evidentuar disa vonesa në realizimin e shërbimeve, kryesisht si pasojë e mbylljes së rrugëve dhe kufizimeve në qarkullim, të cilat kanë vështirësuar qasjen e ekipeve tona në disa zona.
Megjithatë, ekipet operative po vazhdojnë punën në terren, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të intensifikojmë angazhimin dhe do të shtojmë kapacitetet operative, me qëllim të tejkalimit të vonesave dhe largimit të mbeturinave në të gjitha lagjet ku janë evidentuar grumbullime.” Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë një përgjigje për televizionin Dukagjini lidhur me këtë çështje.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





