Ambasadori Gjerman në Kosovë: Rritja e Partneritetit dhe Integrimit Evropian

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka shprehur dëshirën e Gjermanisë për ta parë Kosovën si një partner të rëndësishëm në Evropë dhe në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se, pas zgjidhjes së ngërçit institucional, Kosova është në pozita të favorshme për ta ndjekur sërish aktivisht agjendën e saj evropiane.

Gjatë fjalimit të tij në pritjen për Ditën e Bashkimit Gjerman 2026, Rudolph shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e sapozgjedhur, Qeverinë dhe institucionet e Kosovës për avancimin e kësaj agjende. “Ngërçi institucional ka përfunduar.


- Advertisement -

Pres me padurim të punoj me Presidenten e sapozgjedhur, Qeverinë dhe të gjitha institucionet në Kosovë për një agjendë që nuk ka ndryshuar që nga ardhja ime këtu një vit më parë: Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë.

Si partnere në Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij,” tha ai.

Ambasadori theksoi se marrëdhënia mes dy vendeve është shumë më e thellë dhe më e afërt se sa mund të arrijë puna e një ambasade. “Duket se pothuajse çdo familje këtu ka lidhjet e veta personale me Gjermaninë.

Kam kuptuar se, në të vërtetë, ne jemi familje.

Dhe kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme çdo ditë.

Ambiciet evropiane të Kosovës janë më të rëndësishme se kurrë.

Pas zgjidhjes së krizës institucionale, pres me padurim të punojmë me energji të re si për bashkëpunimin tonë dypalësh, ashtu edhe për agjendën evropiane të Kosovës.

Duke krijuar institucione të qëndrueshme, vendi tani e ka vendosur veten në një pozitë për ta ndjekur sërish në mënyrë aktive këtë agjendë,” tha ai.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rruga përpara nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. “Ky proces do të kërkojë ende debate dhe vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe me të tjerët.

Mund të shtoj se edhe përvoja e vendit tim është dëshmi për këtë.

E megjithatë, dua t’ju inkurajoj fuqishëm që të vazhdoni ta ndiqni këtë synim ambicioz.

E di se në Kosovë ka padurim për një proces që tashmë duket se po zgjat shumë.

Dhe më besoni, edhe unë e ndaj këtë padurim.

Por, në njëfarë kuptimi, synimi për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm sesa ishte kur e nisët këtë rrugë,” tha ai.

Rudolph gjithashtu e theksoi se peizazhi politik dhe i sigurisë në Evropë po ndryshon në mënyra të papara. “Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë.

Vendi im dhe disa vende të tjera në Evropë kanë qenë cak i të ashtuquajturave sulme hibride.

Në këtë drejtim, dua të falënderoj ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për deklaratën e tij të qartë të solidaritetit pas sulmit të dështuar me dron në aeroportin e Lajpcigut këtë verë.

Në këtë mjedis, Kosova tani jo vetëm që mundet, por edhe duhet të mos shikojë më nga vetja, por ta shohë integrimin e saj evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë,” tha ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë si një partner aktiv. “Do të doja ta shihja Kosovën të bëjë një hap përpara dhe të sjellë në tryezë asetet e saj si një shtet i ri dhe i zhvilluar në Evropë.

Në fillim të këtij viti, ju e ne festuam 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Gjatë këtyre 18 viteve, ju keni ndërtuar me sukses një shtet: me një demokraci dinamike, ku sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes janë të garantuara, një shtet që ofron mbrojtje të veçantë për ata qytetarë të Republikës që u përkasin komuniteteve joshumicë dhe një shtet që po bëhet gjithnjë e më shumë ofrues i sigurisë në Evropë,” tha ai.

Ambasadori Rudolph beson se është koha për të ndërtuar mbi këtë sukses.

Ai theksoi se nga takimet e tij me studentë në shkolla dhe universitete, është impresionuar nga dëshira e tyre për të ardhmen në Evropë. “Dhe kjo është inkurajuese.

Por besoj se ambicia e vendit mund të jetë edhe më e madhe: Unë i shoh të gjithë të rinjtë kosovarë si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Te ta shoh atë që na nevojitet në Evropë dhe atë për të cilën shpresoj: një Kosovë aktive për një Evropë të fortë dhe paqësore.

Jam i lumtur që vendi tani është i gatshëm të ecë përpara.

Gjermania do të vazhdojë me ju në këtë rrugë, si mike dhe partnere, ashtu siç ka bërë gjithmonë,” përfundoi ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -