Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka njoftuar se minatorët janë ngujuar në horizontet e minierës në Stantërg për shkak të një defekti në sistemin e energjisë elektrike.
Defekti ka ndodhur rreth orës 19:30, për shkak të djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një problemi në trafostacionin e tunelit të parë.
Sipas tij, disa minatorë kanë filluar të dalin përmes daljeve alternative, ndërsa minatori i parë ka arritur të dalë nga miniera. “Minatori i parë, sipas informacioneve të mia, ka arritur me dalë, po shpresojmë edhe janë duke dalë edhe grupet e tjera”, ka thënë Januzi.
Ai ka theksuar se ka komunikim me minatorët përmes linjës telefonike me tela induktiv dhe se gjendja e tyre është stabile. “Për gjendjen e tyre për momentin është stabile, nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar ai, duke shtuar se një minator raportohet të ketë problem me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.
Pas një defekti me energjinë elektrike, 63 minatorë të “Trepçës” mbesin të ngujuar në tunelin e minierës.
Januzi ka njoftuar se, sipas informatave nga vendi i ngjarjes dhe komunikimit me menaxhmentin, linja që furnizon minierën nuk duket të ketë defekte të mëdha dhe mund të riparohet në një kohë më të shkurtër.
Ai ka theksuar se defektet në pjesën e flotacionit nuk paraqesin pengesë për nxjerrjen e minatorëve, pasi nuk lidhen me liftin që përdoret për transportimin e tyre nga miniera.
Kryetari i Sindikatës ka shprehur shqetësim për mungesën e investimeve dhe gjendjen e vjetërsuar të pajisjeve, duke thënë se raste të tilla janë përsëritur edhe më parë. “Fatkeqësisht, mungesa e investimeve dhe trafostacionet e stërvjetëruara po bëjnë që shpesh të mbesin të mbyllur”, ka thënë Januzi.
Ai ka theksuar se mungesa e një alternative tjetër për furnizim me energji po bën që minatorët të mbesin të ngujuar për orë të tëra, duke e cilësuar këtë situatë si rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





