Aktori dhe regjisori amerikan, Ben Affleck, ka ndarë për herë të parë publikisht ndjenjat e tij për humbjen e të dy prindërve brenda një periudhe të shkurtër prej vetëm dy muajsh.
Babai i tij, Timothy Affleck, ndërroi jetë në prill, ndërsa nëna e tij, Chris Affleck, u nda nga jeta më 2 qershor pas një beteje të gjatë me kancerin e pankreasit.
Në një episod të podcast-it “Streets We Grow Up On”, të drejtuar nga aktorja Kerry Washington, Ben shprehu se këto humbje kanë pasur një ndikim të thellë në mënyrën se si ai e sheh të kaluarën e tij.
Ai theksoi se pas vdekjes së prindërve, ka filluar ta mendojë fëmijërinë e tij ndryshe.
Sipas tij, një humbje e tillë të bën të reflektosh më thellë mbi familjen dhe mbi gjithçka që prindërit kanë bërë për fëmijët e tyre.
Ben theksoi se tani e vlerëson shumë më tepër nënën e tij.
Ai e ka kuptuar më qartë se sa shumë ishte sakrifikuar ajo për të dhe vëllanë e tij, Casey, dhe sa e përkushtuar kishte qenë ndaj tyre.
Për Benin, nëna ishte gjithmonë një figurë e pranishme në jetën e fëmijëve të saj, ndonëse arrinte të merrej edhe me punën dhe përgjegjësitë e tjera.
Një nga momentet më të veçanta që ai përjetoi pas vdekjes së saj ishte zbulimi i letrave të vjetra që Chris kishte shkruar para se ai të lindte.
Kjo e emocionoi thellë, sepse deri atëherë, ai e kishte njohur kryesisht si nënën që e kishte vendosur familjen në qendër të jetës së saj.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





