Kushtrim Sheremeti: Thirrje për Bashkim në Mbështetje të UÇK-së në Protestën Kundër Aktgjykimit të Hagës

Aktori Kushtrim Sheremeti ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në protestën e natës së 13-të, e cila është organizuar për të kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai kritikoi përmbajtjen e vendimit dhe bëri thirrje për bashkim në mbështetje të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.

Sheremeti shprehu mendimin se vendimi nuk e trajton në mënyrë objektive kontekstin e luftës dhe pavarësisë së Kosovës, duke kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si është trajtuar roli i Serbisë. “Dhe duke qenë të bindur se të qenit i lirë i heronjve tanë, çlirimtarëve, udhëheqësve të Luftës Çlirimtare dhe themeluesve të shtetit të Kosovës ishte i padrejtë, i paligjshëm, i pambrojtshëm dhe i ndikuar.


- Advertisement -

Imagjinoni, motra dhe vëllezër, disa gjyqtarë xhahilë, në vendimin e tyre, ndër të tjera, pa pikë turpi thanë: ‘Nuk e kemi parë të udhës ta gjykojmë objektivisht se kjo është për pavarësinë e Kosovës, por si një objektiv kriminal dhe i paligjshëm në vete.’ Dhe po ashtu, në të gjitha faqe-mëse-faqet e gjykimit nuk përmendet asgjë kundër Serbisë si pushtuese.

Pra, gjyqtarët që paguhen me ligjet e Kosovës e bëjnë një veprim të tillë të paimagjinueshëm.

Si do t’ju tregojmë ne, si mund ta cilësojmë këtë gjyqësi të re, si mbrojtëse të viktimave, si të paanshme dhe profesionale, kur ajo dështon në testin e saj kryesor, duke mos e konsideruar Serbinë si pushtuese dhe pavarësinë e Kosovës si legjitime, duke prekur kështu thellësisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe indirekt edhe pavarësinë e Kosovës?”, tha ai.

Sheremeti gjithashtu e kundërshtoi faktin që vendimi është dhënë në emër të popullit të Kosovës, duke bërë thirrje që qytetarët të shprehin kundërshtimin e tyre. “E për turpin e tyre, këta gjyqtarë xhahilë, cinikë, verdiktin e dhanë në emër të popullit të Kosovës.

Por ne nga këtu u themi atyre dhe të gjithëve se ai verdikt nuk ishte në emrin tonë!

Nuk ishte në emër të familjeve tona!

As të sakrificës sonë!

As të mundit tonë!

As të dëshmorëve tanë!

As të mijëra burrave, grave e fëmijëve të vrarë!

Prandaj thirrni: Jo në emrin tim!

Jo në emrin tim!

Zonja dhe zotërinj, Liria ka emër.

Liria ka emër heronjsh.

E heronjtë nuk janë njerëz të jashtëzakonshëm.

Ata janë njerëz të zakonshëm.

Veprat e tyre janë të jashtëzakonshme, prandaj ata janë heronj!”, u shpreh ai.

Në pjesën tjetër të fjalimit, Sheremeti përmendi ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën, duke theksuar që dallimet politike nuk duhet të pengojnë bashkimin rreth asaj që e konsideron të shenjtë për Kosovën. “E të tillë ishin edhe Presidenti Thaçi, edhe Kadri Veseli, edhe Rexhep Selimi, edhe Jakup Krasniqi, edhe fëmijët e Drenicës, edhe Pjetër Shala, edhe çdo shok e shoqe e tyre që kapën pushkën për liri.

E ne jemi sot të lirë pikërisht falë tyre dhe luftës së tyre.

E meqë jemi të lirë, ne kemi të drejtën të mendojmë ndryshe dhe të mos pajtohemi ndryshe.

Kemi të drejtë të votojmë ndryshe.

Kemi të drejtë të mos kemi përputhje politike.

Por askush nga ne nuk ka të drejtë, kur gjendemi në këtë situatë, kur na preket e shenjta jonë, të refuzojmë të jemi bashkë!

Prandaj sot, e shfrytëzoj rastin që në emër të të gjithë juve t’ju ftoj të gjithëve që të bëhemi bashkë.

Bashkë për lirinë tonë!

Për UÇK-në tonë!

Për fëmijët tanë, për të ardhmen e familjeve tona!

Për shtetin tonë, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”, përfundoi ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *