Aktori i njohur, Sylvester Stallone, ka ndarë me ne një pjesë të fëmijërisë së tij të vështirë, e cila ka qenë e shoqëruar me dhunë, mungesë përkujdesjeje prindërore dhe ndjenjën e braktisjes.
Në një intervistë për “The New York Times”, Stallone rrëfeu se një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Maryland me babanë e tij, të cilin e përshkroi si një person të dhunshëm fizikisht.
Ai kujtoi një rast kur babai e kishte rrahur rëndë pasi ishte kthyer nga dyqani.
Aktori gjithashtu foli për marrëdhënien me nënën e tij, duke theksuar se ajo pothuajse kurrë nuk e kishte përqafuar.
Si fëmijë, Stallone u dërgua për të jetuar në një konvikt, ku prindërit e vizitonin vetëm rreth një herë në muaj.
Sipas tij, këto përvoja kanë ndikuar fuqishëm në karakterin e tij dhe në forcën që më vonë e solli në personazhe si John Rambo. “Më bëri shumë të fortë”, tha Stallone, duke pranuar se kjo forcë erdhi “në mënyrën e gabuar”.
Megjithatë, ai kujtoi edhe një moment të rrallë dashurie nga babai i tij, kur në moshën rreth nëntë vjeçare e kishte zënë gjumi në makinë dhe babai ia kishte vendosur kokën në prehër dhe dorën mbi kokë.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





