Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i presidentit të vendit.
Ai e bëri këtë të ditur të dielën mbrëma, gjatë një fjalimi para qytetarëve serbë, duke theksuar se ky është momenti për një kapitull të ri për vendin. “Ka ardhur koha e vendimit”, tha Vuçiq, duke iu referuar viteve të tij në krye të shtetit.
Ai theksoi se mandati i presidentit të republikës duhet të meritohet përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta, në mënyrë demokratike dhe pa marrëveshje apo kalkulime politike.
Vuçiq shprehu falënderime për qytetarët serbë për besimin që, sipas tij, i kishin dhënë në dy raste, duke theksuar se posti i presidentit ishte përgjegjësia më e lartë që mund të merrte një person.
Gjatë fjalimit, ai ka folur edhe për rezultatet ekonomike gjatë periudhës së qeverisjes së tij, duke përmendur hapjen e më shumë se 300 fabrikave dhe rritjen e numrit të të punësuarve.
Ai theksoi se Serbia duhet të vazhdojë të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së interesave kombëtare.
Duke folur për Kosovën, Vuçiq tha se Serbia duhet të kujdeset për serbët në Kosovë dhe të mos heqë dorë nga interesat e saj në këtë çështje.
Ai gjithashtu theksoi nevojën që Serbia të përshpejtojë zhvillimin ekonomik, veçanërisht në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale dhe robotikës.
Gjatë fjalimit të tij para qytetarëve, Vuçiq nënshkroi zyrtarisht dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë.
Në dokumentin e dorëheqjes, ai iu referua nenit 116, paragrafi 5, të Kushtetutës së Serbisë.
Vuçiq deklaroi se dorëheqjen do t’ia dorëzojë Kuvendit të Serbisë, ndërsa të hënën do t’ia dorëzojë detyrën kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





