Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka theksuar se zhvillimet e reja politike pas datës 16 shtator kanë sjellë një situatë të re, mbi të cilën, sipas tij, partia do t’i përshtatë qëndrimet e saj lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza u pyet nëse qëndrimi i partisë për Presidentin do të pësojë ndryshime, duke marrë parasysh situatën e krijuar pas 16 shtatorit. “Jemi në rrethana të reja.
Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit.
Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit,” tha Hamza.
I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një kandidat për President nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza u shpreh se nuk dëshiron të flasë për skenarë hipotetikë para se të paraqitet një propozim konkret.
Ai theksoi se është i gatshëm për takime me liderët e partive politike, duke bërë të ditur se tashmë ka zhvilluar biseda me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini. “Nuk muj me folë mbi hipotetike, para se me ardhë kjo temë.
Unë jam taku dhe jam i gatshëm me u taku, jam taku me kryetarët e tri partive politike, edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Abdixhiku, edhe me zotin Gjini, jam në komunikim dhe është krejt normale që për tema kaq të rëndësishme, sfiduese e kaq të rëndësishme për vendin që të ketë takime,” u shpreh Hamza.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





