Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka shpjeguar në Klan Kosova se çfarë përmban projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në lidhje me Dhomat e Specializuara.
Gruda ka theksuar se procesi i apelimit për rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë në Hagë, dhe në rast se një vendim dënues del pas apelit, çështja do të kalojë në Gjykatën Supreme të Kosovës. “Apeli aktual ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në Hagë për një vit e gjysmë, dy, sado që të zgjatë.
Pas Apelit, nëse do të ketë vendim dënues, gjyqi në Supreme zhvillohet në Kosovë.
Nëse do të ketë rigjykim, prapë ajo kthehet në Kosovë”, tha ai.
Gruda gjithashtu sqaroi se shkalla e dytë, Apeli, zhvillohet në Speciale. “Nëse vendimi del fajësues dhe vazhdon në shkallën Supreme, nuk vazhdon në Supremen e Hagës, por vjen në Supremen e Kosovës në Prishtinë”, deklaroi ai.
Ai përmendi se një nga arsyet pse Apeli është lënë në Hagë ka të bëjë me pritjet e mbrojtjes për procesin e apelimit. “Avokatët kanë shpresë që në apel mund të fitojnë.
Ata kanë qasje në aktgjykim tashmë, ne publiku s’kemi qasje, por ata kanë parë shkelje që janë tepër skandaloze dhe besojnë se në apel mund t’i rrëzojnë”, tha Gruda.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është monitorimi ndërkombëtar dhe monitorimi përmes Kuvendit ndaj punës së Gjykatës Speciale. “Me këtë ligj, në momentin që jemi në fuqi, menjëherë e prodhon pasoja juridike.
Kuvendi i Kosovës mund të angazhojë kompani ndërkombëtare, universitete të njohura, institute që ta mbikëqyrin punën e Gjykatës Speciale në shkallën e dytë”, theksoi ai. “Nëse në shkallën e dytë ne do të kemi ligjin të miratuar, do të kemi monitoruar gjithmonë punën e Apelit me institute, universitete, organizata dhe trupa që i themelon Kuvendi. Çdo gjë do të jetë transparente.
E kemi bërë këtë për dy arsye.
E para, sepse transparenca do të garantojë edhe drejtësi”, ka përfunduar Gruda.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





