Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë janë rikthyer diskutimet politike për zhbërjen e kësaj gjykate.
Avokati Skender Musa thotë se aktualisht nuk është koha për zhbërjen e saj, por kërkon ndryshimin e mënyrës së funksionimit dhe rritjen e përgjegjësisë institucionale të saj ndaj institucioneve të Kosovës.
Musa ka kritikuar mënyrën se si, ka vepruar Specialja, duke thënë se ajo duhet të japë llogari dhe se duhet të ketë një koordinim institucional me sistemin e drejtësisë në Kosovë. “Në radhë të parë dua ta bëj të qartë mendimin tim: Kjo gjykatë i ka shërbyer Serbisë dhe vazhdon t’i shërbejë Serbisë.
Nëse një gjykatë e tillë i shërben Serbisë atëherë nuk ka nevojë ta përdorë logon dhe t’i zbatojë ligjet e Kosovës.
Nuk mendoj se është koha dhe momenti të punohet për zhbërjen e gjykatës, mirëpo është koha dhe momenti që kjo gjykatë t’i japë llogari Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe prokurori special t’i japë përgjegjësi Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Nuk mund të thirren në një pavarësi të gjykatës dhe një gjykatë komplet e pavarur dhe të bëjë kaq dëme të mëdha Kosovës, duke marrë udhëzime nga prokurorë dhe gjyqtarë dhe politikanë të Serbisë siç ka vepruar kjo gjykatë”, tha ai.
Avokati ka deklaruar se mënyra e deritanishme e punës së kësaj gjykate e bën atë një rast të veçantë në Evropë sa i përket rezultateve të proceseve ndaj të akuzuarve shqiptarë. “E thashë edhe më herët, është e vetmja gjykatë që njihet në Evropë që të gjithë të akuzuarit i ka dënuar dhe që pritet të dënohet çdo i akuzuar shqiptar që shkon para saj.
Sepse vetëm shikojini ecurinë e punës së saj.
Kjo gjykatë ka bashkëpunuar me prokurorë dhe policë serbë, hetues, ka marrë njerëz të sigurimit.
Ata vetë kanë dalë publikisht dhe kanë thënë që ‘Ne i kemi shkruar edhe aktakuzat, kallëzimet penale, i kemi intervistuar, kemi intervistuar dëshmitarët shqiptarë’.
Musa ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit të Speciales, me institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




