Kryetari i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha, ka uruar Bekim Sejdiun për kandidaturën për President të Republikës së Kosovës, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Berisha ka vlerësuar marrëveshjen e nënshkruar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e Sejdiut në postin e presidentit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar Sejdiun si personalitet të shquar në fushën e jurisprudencës kushtetuese dhe diplomacisë, duke përmendur angazhimin e tij si ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-ambasador i Kosovës. ‘Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i dërgoj urimet më të përzemërta zotit Bekim Sejdiu për postin e lartë të Presidentit të Kosovës’, ka shkruar Berisha.
Ai i ka uruar Sejdiut sukses në detyrën e presidentit, veçanërisht në proceset që lidhen me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe në forcimin e rolit të vendit në paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal.
Berisha ka uruar gjithashtu Kurtin dhe Abdixhikun për marrëveshjen e arritur, duke e cilësuar përzgjedhjen e Sejdiut si një vendim në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





