Kurti në Shkup për fillimin e ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë të mërkurën në Shkup në fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, projekt që synon forcimin e lidhjes infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kurti tha se rëndësia e projektit shkon përtej infrastrukturës, pasi sipas tij, autostrada do të shkurtojë distancën, do të lehtësojë lëvizjen dhe do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve. ‘Ne jemi dy shtete që kanë qarkullim të lartë të qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset tona lëvizin çdo ditë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut’, tha Kurti.


- Advertisement -

Ai theksoi se vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, ose rreth 150 në ditë. ‘Prandaj, çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

Kjo autostradë do ta bëjë këtë qarkullim më të shpejtë, më të sigurt e më efikas’, u shpreh Kurti.

Sipas tij, projekti do t’u mundësojë bizneseve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të lëvizin më lehtë mallrat, të zgjerojnë tregjet dhe të krijojnë partneritete të reja.

Kurti e cilësoi autostradën si projekt me rëndësi strategjike, duke theksuar se ajo është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e lidhjes që përmes Kosovës afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane.

Autostrada Shkup – Bllacë do të përfshijë pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri.

Kryeministri në detyrë përmendi edhe projekte të tjera infrastrukturore që synojnë lidhjen e dy vendeve, duke përfshirë Linjën 10 hekurudhore dhe projektin Prizren – Tetovë përmes tunelit. ‘Këto projekte janë ura gjigante të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë’, tha Kurti.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, si dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit i Kosovës, Dimal Basha, së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe BERZH-it.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *