Protestë në Hanin e Elezit kundër përdorimit të gomave si lëndë djegëse

Banorët e Hanit të Elezit kanë zhvilluar sot një protestë, duke kërkuar që të mos miratohet vendimi që do t’i lejonte operatorit ekonomik për prodhimin e çimentos, i cili vepron në këtë komunë, të përdorë gomat si lëndë djegëse alternative.

Protestuesit thanë se Hani i Elezit nuk është vend për eksperimente dhe se nuk duhet të lejohet rrezikimi i shëndetit të qytetarëve. “Sot jemi këtu sepse qytetarët nuk mund të injorohen kur bëhet fjalë për shëndetin e tyre.

Ne e kundërshtojmë djegien e gomave në Han të Elezit, jo sepse jemi kundër zhvillimit, por sepse nuk pranojmë që shëndeti i njerëzve të vihet në rrezik pa transparencë, pa garanci dhe pa përgjigje të plota”, pohoi Visar Hasallari, organizator i protestës.


- Advertisement -

Gjatë protestës u bë edhe djegia simbolike e disa gomave, në shenjë kundërshtimi ndaj përdorimit të tyre si lëndë djegëse.

Qytetarët thanë se përdorimi i gomave për djegie paraqet rrezik serioz për shëndetin e banorëve të kësaj ane. “Kjo ndikon shumë, siç po shihet. Është kancerogjene.

Unë kam punuar 44 vjet dhe kam dalë në pension.

Tash të digjet çimentoja me anë të gomave, kjo është e papranueshme, sepse askund në botë”, tha Naser Vila, qytetar. “Kjo nuk duhet të lejohet assesi, për shkak se, siç po e shihni, mund të shkaktojë pasoja në shëndetin e qytetarëve, sidomos te njerëzit në moshë, fëmijët dhe te të gjithë banorët”, theksoi Nehat Daci, qytetar.

Përmes kësaj proteste, banorët i kërkuan Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të mos e miratojë një vendim të tillë, për të cilin ata thonë se do të ishte në dëm të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *