Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin maj 2026, të cilat tregojnë rritje të numrit të lindjeve dhe shkurorëzimeve, ndërsa janë shënuar më pak vdekje dhe kurorëzime krahasuar me muajin prill.
Sipas ASK-së, gjatë muajit maj janë regjistruar gjithsej 2.328 lindje, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
Nga këto, 1.212 foshnja janë meshkuj, ndërsa 1.116 janë femra.
Krahasuar me muajin prill, kur ishin regjistruar 2.261 lindje, numri i lindjeve është rritur për rreth 3 për qind.
Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 871 raste të vdekjeve, ose 4.9 për qind më pak se në muajin prill, kur ishin evidentuar 916 raste.
Nga numri i përgjithshëm i vdekjeve, 445 janë meshkuj dhe 426 femra.
Sa u përket martesave, gjatë muajit maj janë regjistruar 1.037 kurorëzime, duke shënuar rënie prej 7.9 për qind në krahasim me prillin, kur ishin regjistruar 1.126 kurorëzime.
Në anën tjetër, numri i shkurorëzimeve ka shënuar rritje.
Gjatë muajit maj janë regjistruar 117 raste të shkurorëzimeve, që është 5.4 për qind më shumë krahasuar me muajin prill, kur ishin regjistruar 111 raste.
ASK-ja bën të ditur se të dhënat janë preliminare dhe janë përpiluar mbi bazën e të dhënave administrative të Agjencisë së Regjistrit Civil (ARC).
Institucioni u rekomandon përdoruesve që këto statistika të trajtohen si paraprake deri në publikimin e të dhënave përfundimtare.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





