Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) tash e dy vjet po drejtohet me ushtrues detyre, ndërsa procesi për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm po zhvillohet në një periudhë sfiduese për transmetuesin publik.
Kriza institucionale nisi në korrik të vitit 2024, kur ish-drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, dha dorëheqje.
Që nga ajo kohë, pozitat kryesore drejtuese në RTK janë ushtruar nga ushtrues detyre, pa një drejtues të zgjedhur me mandat të plotë.
Në këtë situatë, procesi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm konsiderohet një hap i rëndësishëm për stabilizimin e udhëheqjes së transmetuesit publik, i cili gjatë kësaj periudhe është përballur me sfida të shumta institucionale dhe financiare.
Një nga krizat më të mëdha që po prek RTK-në, është ajo financiare, punëtorët e të cilit po përballen me mungesë pagash, ditë më parë Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës, njoftoi se pagat e qershorit nuk janë ekzekutar ende, as sot kur data është 10 korrik.
Gjithsesi, mes kësaj krize, Bordi i RTK-së, në mbledhjen e mbajtur më 8 korrik, ka publikuar listën me gjashtë kandidatët që synojnë pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
Tre prej tyre tashmë janë pjesë e RTK-së dhe kanë mbajtur ose mbajnë pozita drejtuese: ushtruesja aktuale e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Zana Spahiu, ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Hysen Hundozi, si dhe ish-drejtori i RTK-së, Lorik Arifaj.
Në garë janë edhe analisti politik Nexhmedin Spahiu, ish-drejtori i një televizioni privat Arbër Gecaj, si dhe Antigona Baxhaku, e cila mban një pozitë menaxhuese në një televizion privat.
Ndërkohë Bordi i RTK-së pritet që më 13 korrik të fillojë intervistimin e 6 kandidatëve të kualifikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm.
Gjithsesi drejtori i ardhshëm i RTK-së pritet që mes shumë sfidave financiare e menaxheriale, të përballet edhe marrëdhëniet që ka televizioni publik me Rrjetin e Transmetuesve Evropian [EBU], e cila nuk po përfill kërkesat e njëpasnjëshme të RTK-së që Kosova të ftohet në Eurovision, për më tepër në Asamblenë e Përgjithshmë të EBU-së të mbajtur në qershor, kërsa e fundit e cila u dërgua nga u.d e drejtorit të përgjithshëm Zana Spahiu, nuk kishte hyrë as në agjendë të Asamblesë, ndërsa e gjithë shpresa është për tek Asambleja e radhës e cila do të mbahet në dhjetor.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





