Radhët e gjata, pritjet me orë të tëra dhe rënia e sistemeve kompjuterike janë kthyer në një përditshmëri të hidhur për qytetarët e Kosovës që kërkojnë shërbime nëpër institucionet shtetërore. Mirëpo, kur frustrimi i administratës përzihet me agjitacionin politik dhe fyerjet ndaj qytetarëve, situata kalon në skandal.
Një ngjarje e tillë e pakëndshme dhe tejet joprofesionale ka ndodhur së fundmi në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), saktësisht te sporteli i Postës së Kosovës që operon brenda këtij institucioni për pagesat e shërbimeve.
Shpërthimi i punëtores: “Jau hëngri dreqi…”
Sipas dëshmisë së një qytetari që kishte shkuar për të rregulluar dokumente, gjithçka ka nisur me dështimin e radhës të pajisjeve teknologjike. E gjendur nën presionin e pritjeve dhe defekteve teknike, zyrtarja e Postës së Kosovës, në vend të mirësjelljes apo asistencës, ka zgjedhur të shpërthejë në frustrim të hapur, duke përzier politikën me dështimin e menaxhimit.
“Votoni 51-shin jau hangt dreqi, nuk punon as printer as sen ktu!”, dëgjohet t’u ketë thënë ajo qytetarëve të pranishëm, duke iu referuar numrit të partisë në pushtet në mënyrë ironike dhe fyese, ndërsa fajësonte sistemin për mospunën e saj.
Institucionet në shërbim të qytetarit apo të politikës?
Ky rast shpërfaq dy probleme të mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët çdo ditë:
1. Infrastruktura e vjetruar: Mosfunksionimi i printerëve dhe sistemeve bazike në një ministri kyçe si ajo e Jashtme dhe e Diasporës.
2. Sjellja skandaloze e stafit: Përdorimi i gjuhës fyese dhe agjitacionit politik në vendin e punës, ku qytetari paguan taksa për të marrë shërbim, jo për të dëgjuar frustrime elektorale.
Qytetarët e pranishëm kanë mbetur të fyer dhe të shokuar nga ky nivel i komunikimit zyrtar. Deri më tani, as menaxhmenti i Postës së Kosovës dhe as MPJD nuk kanë dalë me një sqarim apo masë disiplinore ndaj punëtores në fjalë.
Mbetet të shihet nëse institucionet do të marrin masa për të siguruar që printerët të punojnë, e që punëtorët t’u shërbejnë qytetarëve me dinjitet, pa i “çuar te dreqi”.





