Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qetë, por ende e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të vendit.
Në një deklaratë nga Brukseli, pas takimeve në selinë e NATO-s, ai bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnere kontribuuese në KFOR, si dhe është takuar me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, raporton Klankosova.tv.
Sipas tij, në këto takime është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, si dhe për prioritetet e misionit të KFOR-it, pak më shumë se dy muaj para samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara në korrik.
Ulutash theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur. “Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet tona për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes”, tha ai.
Sipas tij, misioni aktualisht përbëhet nga mbi 4600 trupa nga 31 vende, duke e cilësuar atë si një ndërmarrje kolektive të rëndësishme për stabilitetin në rajon.
Duke folur për zhvillimet në terren, ai theksoi se që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës si në vitin 2023, por paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme. “Që nga tetori i vitit 2025, kemi parë që siguria lokale është në përgjithësi e qetë.
Nuk kemi parë rikthim të dhunës, siç pamë në vitin 2023.
Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”. “Prandaj, prioriteti im është ruajtja e stabilitetit, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, deklaroi mes tjerash Ulutash, duke shtuar se KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi dhe për të ulur tensionet në rast nevoje.
Komandanti e cilësoi KFOR-in si një shtyllë kyçe të stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar aleatët për mbështetjen e vazhdueshme.
Në deklaratën e tij, komandanti Ulutash theksoi edhe nevojën urgjente për një zgjidhje politike, teksa shtoi se KFOR-i vazhdon të krijojë hapësirë që dialogu politik të ecë përpara. “Stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomacinë mbi dhunën.
Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, jo ushtarake.
KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë punën e tij në mbështetje të këtij procesi”, tha ai.
Komandanti i KFOR-it nënvizoi se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai përfundoi se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e hapësirës për avancimin e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit, në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit. “Një rrugë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse përpara është ajo që duhet të vazhdojmë ta ndjekim, së bashku, për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Dhe për stabilitetin rajonal”, u shpreh komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash. /Klankosova.tv
