Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hequr masën e pezullimit, duke i mundësuar rikthimin në aktivitetin politik.
Pezullimi ishte vendosur më 12 mars nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Sipas partisë, kjo masë është shfuqizuar pasi janë përmbushur të gjitha obligimet ligjore të kërkuara.
AKR-ja bën të ditur se ka respektuar afatin 45-ditor, gjatë të cilit ka organizuar Kuvendin Zgjedhor dhe ka përmbushur të gjitha procedurat e nevojshme sipas kërkesave të autoriteteve përkatëse.
Në reagimin e saj, partia e konsideron këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit institucional dhe politik, duke nënvizuar përkushtimin për transparencë, zbatim të ligjit dhe përfaqësim të denjë të qytetarëve.
Strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të punojnë për fuqizimin e partisë, rritjen e besimit të qytetarëve dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike.
Në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur dy javë më parë, Emir Abrashi është zgjedhur kryetar i partisë.
Aleanca Kosova e Re është themeluar nga Behgjet Pacolli.
