Shkencëtarët kanë arritur të kultivojnë me sukses patate në tokë që simulon kushtet e sipërfaqes së Hënës, duke hapur mundësi të reja për prodhimin e ushqimit në bazat e ardhshme hënore.
Rezultatet tregojnë se, me shtimin e materialeve organike, patatet mund të rriten po aq mirë sa në tokën e zakonshme bujqësore.
Hulumtimi, i mbështetur nga NASA, është realizuar nga shkencëtarët e Universitetit Shtetëror të Oregonit dhe është publikuar në revistën shkencore npj Microgravity.
Studimi është përqendruar te varieteti Modoc, një lloj patateje me lëkurë të kuqe që piqet relativisht herët.
Ky zhvillim vjen në kohën kur SHBA-ja dhe Kina po planifikojnë misione të reja në Hënë, me synimin për të ndërtuar baza ku astronautët mund të qëndrojnë për periudha të gjata.
Prodhimi i ushqimit në Hënë konsiderohet i rëndësishëm, pasi transportimi i vazhdueshëm i furnizimeve nga Toka do të ishte i kushtueshëm dhe jopraktik. “Patatet sigurojnë më shumë kalori për njësi sipërfaqeje sesa shumë kultura të tjera.
Ato janë ushqyese, përmbajnë më shumë kalium sesa bananet dhe janë të pasura me vitaminë C”, ka shpjeguar biologu Aymeric Goyer, udhëheqës i studimit.
Për eksperimentin, shkencëtarët përdorën material që simulon regolitin hënor, një përzierje shkëmbinjsh të grimcuar dhe pluhuri që, ndryshe nga toka bujqësore, nuk përmban materiale organike.
Ata e pasuruan këtë material me vermikompost, një pleh organik i krijuar nga shpërbërja e mbetjeve përmes krimbave të tokës.
Eksperimentet treguan se patatet pothuajse nuk zhvilloheshin pa pleh organik, ndërsa me shtimin e vetëm 5% vermikompost filluan të formonin rrënjë.
Kur përzierja përmbante 30% vermikompost, rendimenti ishte i njëjtë me atë të patateve të kultivuara në tokë të zakonshme bujqësore.
Patatet u rritën në një serrë, me temperatura prej 22 gradësh Celsius gjatë ditës dhe 18 gradësh gjatë natës.
Megjithëse analizat laboratorike treguan se patatet ishin të përshtatshme për konsum, shkencëtarët ende nuk i kanë shijuar. “Fatkeqësisht, ende nuk i kemi provuar.
Të gjitha patatet i përdorëm për analiza laboratorike”, ka deklaruar Goyer.
Patatet e eksperimentit ishin të vogla, kryesisht nën 10 gramë.
Megjithatë, në një studim të dytë, shkencëtarët kanë arritur të prodhojnë patate me përmasa të zakonshme.
Raportohet se studiuesit po eksperimentojnë edhe me kultura të tjera, përfshirë domatet dhe sallatën e gjelbër.
Sipas tyre, teknologjitë e zhvilluara për bujqësinë në Hënë mund të ndihmojnë edhe në Tokë, veçanërisht në zonat shkretinore dhe rajonet me kushte të vështira për prodhimin e ushqimit.
Ideja e kultivimit të patateve jashtë Tokës është bërë e njohur edhe përmes filmit The Martian të vitit 2015, ku personazhi i interpretuar nga Matt Damon kultivon patate në Mars për të mbijetuar.

