Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, ka kërkuar që në këtë komision të ftohet edhe kryeministri i Kosovës.
Ajo e argumentoi këtë duke thënë se kryeministri është përgjegjës për zbatimin e politikave të ministrive, njësoj siç janë kryetarët e komunave për politikat e drejtorive komunale. “Sa i përket kërkesave këtu kur kërkohej përgjegjësia në nivelin lokal, insistohej që niveli lokal, kryetari i komunës është përgjegjës për politikat e drejtorive.
Dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit për qeverinë, e njëjta vlen në nivelin qendror.
Kryeministri i Kosovës është përgjegjës për zbatimin e politikave të ministrive.
E kemi bërë këtë kërkesë edhe më herët, por meqë sot duket që po thirremi në përgjegjësi ligjore të përgjegjësive të nivelit qendror, ju rikujtoj që përgjegjësitë e njëjta konsiderohen në nivel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjit për qeverinë, të cilat janë analoge të shqetësimeve që i ngritën disa nga anëtarët e komisionit sot në këtë takim.
Nga kjo del që sipas mënyrës se si po trajtohen çështjet në këtë komision, duhet të ftohet edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, si përgjegjës i politikave të nivelit qendror të ministrive përkatëse,” tha Kica-Xhelili.
Përveç kryeministrit, deputetja e LDK-së ka propozuar që para komisionit të dëshmojë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, për të sqaruar se si është vlerësuar nevoja për rritjen e kapaciteteve njerëzore në Qendrat për Punë Sociale (QPS) nëpër komuna.
Ajo theksoi se në komision është përmendur disa herë pamundësia e komunave për të rialokuar buxhetin dhe për të shtuar kapacitetet njerëzore në këto qendra, prandaj, sipas saj, është e nevojshme të dëgjohet edhe qëndrimi i Ministrisë së Financave. “Çështja e dytë, meqë disa herë kemi dëgjuar që për shkak të pamundësisë së rialokimit të buxhetit përbrenda komunave përkatëse, komunat nuk mund të ndërhyjnë në rritjen e kapaciteteve njerëzore të QPS-ve, na del që duhet të diskutojmë edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të kuptojmë se si ka vlerësuar ministria në fjalë domosdoshmërinë e shtimit të kapaciteteve njerëzore për QPS-të në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Pra kjo na duhet më pas edhe për pjesën e dytë të raportit,” theksoi ajo.
Gjatë diskutimit, Kica-Xhelili është ndalur edhe te mënyra e trajtimit të dëshmitarëve në komision, duke kërkuar që ekspertja e angazhuar ta sqarojë paraprakisht dhe në mënyrë të detajuar fushëveprimin dhe kompetencat ligjore të secilit person që ftohet për të dëshmuar.
Ajo mohoi se ndërhyrjet e saj në pyetjet e anëtarëve të komisionit kanë pasur për qëllim pengimin e diskutimit, duke theksuar se synimi ka qenë që dëshmitarëve t’u parashtrohen vetëm pyetje që lidhen me kompetencat e tyre ligjore. “Çështja e tretë ka të bëjë me atë që u keqkuptua si ndërhyrje e imja në pyetjet e anëtarëve të komisionit.
Në fakt, edhe në mbledhjen e kaluar, kërkesa ime ka qenë që, në shërbim sa më efektiv, të drejtë dhe me integritet të personave që i kemi para vetes, ta dimë çfarë kompetenca ka personi që ne e kemi përballë, si mund të përfshihet në politikat që përfaqëson apo i ndërton, i drafton, në mënyrë që ta dimë deri ku mund të përfshihet personi që kemi para vetes.
Prandaj kam kërkuar nga ekspertja dhe edhe një herë po mundem me e ridrejtuar kërkesën me më shumë detaje.
Tani e tutje do të kemi dëshmitarë, të cilët i kanë kompetencat specifike me ligj.
Të lutem shumë, tani e tutje për çdo dëshmitar që e kemi para vetes, me i njoftuar komisionin saktë çka ka të drejtë personi me bë, në nivelin e pozicionit për të cilin e kemi ftuar në komision.
Me këtë nënkuptoj, nëse vjen personi A që është udhëheqës i një organizate, tregona çka ka të drejtë me bë.
Në mënyrë që ne ta kuptojmë që ato që nuk janë taksativisht të numëruara nuk ka të drejtë me i bë,” shtoi ajo.
Sipas saj, mungesa e një sqarimi të tillë mund të çojë në kërkesa ndaj zyrtarëve për të ndërhyrë në kompetencat e personave të tjerë, gjë që mund të nënkuptojë kërkimin e veprimeve të kundërligjshme. “Sepse çka po ndodh është që ne po hyjmë në kompetencat e personave të tjerë, që nënkupton që çka po i kërkojmë zyrtarit do të ishte vepër penale.
Ky ishte interferimi im.
Që kërkesat që bëheshin për kompetenca nënkuptonin që zyrtari është dashur me kryer vepër penale, për me u përfshirë në çështje që janë kompetencë e zyrtarëve të tjerë.
E keni parasysh,” theksoi Kica-Xhelili.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

