Sot, në një sallë të mbushur me dhimbje, drejtësia foli.
Vrasësit e Liridona Ademajt, të cilët kryen një krim monstruoz në vitin 2023, morën dënimin që merituan për aktin e tmerrshëm që tronditi jo vetëm familjen e saj, por gjithë shoqërinë kosovare.
Në një atmosferë të ngarkuar emocionale, ku të pranishëm ishin familjarët e viktimës, gazetarë e policë, kryegjyqtarja Fatime Dërmaku shpalli vendimin.
Dënimi për Naim Murselin dhe Granit Plavën ishte i përjetshëm, ndërsa për Kushtrim Kokallën, 30 vjet burg.
Me duar që i dridheshin nga emocionet, gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore, kumtoi vendimin që dënonte kriminelët që organizuan vrasjen e tmerrshme të Liridonës, në sy të dy fëmijëve të saj të pafajshëm, raporton Klankosova.tv.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj pas dënimit tha se vendimi shkon për motrën e ndjerë dhe fëmijët e saj të cilët nuk do ta shohin përjetësisht nënën.
Ndërsa babai i saj, Hajdar Ademaj theksoi se këtë ditë e ka pritur prej kohësh.
Sot, familjarët e saj morën një pjesë të drejtësisë, ndonëse dhimbja për humbjen mbetet e pa shuar.
