Shefja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu i ka bërë thirrje partisë në pushtet që të ndalojë, siç ka thënë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Një gjë të tillë, ajo e ka thënë me pretendimin se emrat e propozuar për anëtarë të Kushtetueses janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Pikërisht për këto propozime, Kuvendi i Kosovës pritet që të votojë në seancën e nesërme. “Kur në listë dalin kandidatë, familjarë me lidhje të afërta me propagandues politik, atëherë nuk kemi më proces të drejtë e të pastër.
Kemi tentativë për kontroll e kapje institucionale, rrjedhimisht për ta kthyer Gjykatën Kushtetuese në vegël të pushtetit.
Kushtetuesja është gardian i Kushtetutës.
Jo mburojë për partinë në pushtet e as strehë për të afërmit e tyre.
Por as edhe për shpërblim politik për ata që i shërbyen propagandës partiake!
Prandaj dhe Kushtetuesja duhet të qëndroj mbi politikën dhe jo nën të.”, ka shkruar ajo në rrjetin social facebook.
Ajo ka thënë se nesër është e rëndësishme që çdo deputet të mendojë mirë kë e përkrah. “Është pikërisht ky moment që të vendosim: A duam Gjykatë të pavarur, apo drejtësi të kapur që i shërben pushtetit?!
Nëse kapet Kushtetuesja, lëkundet vetë shteti.
Prandaj, kjo nuk është një ditë e zakonshme.
Kjo është dita kur vendosim nëse shtetin tonë e shohim përtej interesave partiake.”, ka shkruar Lushaku-Sadriu. /Klankosova.tv
